SHBA-BE diskutojnë për situatën në Rripin e Gazës

Koordinatori për Lindjen e Mesme në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë Brett McGurk, tha të shtunën në Bahrejn se lirimi i një numri të madh pengjesh izraelitë do të mundësonte edhe rritjen e ndihmave për civilët palestinezë për shkak të pauzave më të gjata në luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit. Zoti McGurk i bëri këto komente në kuadër të atij që njihet si Dialogu Manama organizuar nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

Duke folur në Bahrein të shtunën, Brett McGurk, koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, tha se “lirimi i një numri të madh pengjesh izraelitë do të rezultonte në një pauzë të konsiderueshme në luftime dhe një rritje masive të ndihmës humanitare”.

“Nuk ka kthim në kohën para sulmit të Hamasit. Kjo është e vërtetë për Izraelin dhe palestinezët. Asnjë vend nuk mund të jetojë me kërcënimet e terrorit si ajo që pamë nga Hamasi më 7 tetor. Në të njëjtën kohë, palestinezët meritojnë e kanë nevojë për siguri e vetëvendosje”, thotë zoti McGurk.

Zoti McGurk foli përpara një forumi ndërkombëtar ku u diskutuan sfidat më urgjente të politikës së jashtme, mbrojtjes dhe sigurisë në Lindjen e Mesme, i cili po mbahet në Bahrejn.

Takimi i 19-të i atij që njihet si Dialogu Manama i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike ka nisur më 17 nëntor dhe përfundon të dielën më 19 nëntor.

Gjatë fjalës së tij shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell mbi situatën e rënduar humanitare në Gazë.

“Vuajtjet e popullatës civile do të rriten nëse nuk jemi në gjendje ta ndalojmë një gjë të tillë. Ne po punojmë për këtë. Kemi rritur ndihmën humanitare dhe sigurisht që duhet të bëjmë më shumë. Por, nuk ka kuptim që atyre njerëzve t’u jepet darkë sot nëse do të vriten nesër”, thotë zoti Borrell.

Lufta filloi me sulmin terrorist të Hamasit më 7 tetor në Izraelin jugor. Militantët palestinezë vranë rreth 1200 persona, kryesisht civilë dhe rrëmbyen rreth 240 të tjerë, burra, gra dhe fëmijë.

Sipas autoriteteve shëndetësore që kontrollohen nga Hamasi, në luftime janë vrarë rreth 12 mijë palestinezë, dy të tretat e të cilëve tyre gra dhe femijë, ndërsa 2700 të tjerë janë raportuar të zhdukur.

Të dhënat e ofruara nga grupi militant nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur dhe në shifrat e tyre, nuk bëhet dallim mes civilëve dhe militantëve të vrarë. Izraeli thotë se ka vrarë me mijëra militantë./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com