39 vjeçari Altin Çoku i akuzuar për shkaktimin e vetëvrasjes ndaj një 27-vjeçareje në Kamëz për shkak se i kishte postuar foto intime në rrjetet sociale ishte një person me rekorde kriminale por që dënimet për të kanë qenë minimale. E ftuar në “Studio Live” në Report Tv gazetarja Keti Banushi solli rastin kur ai kishte kërcënuar me mesazhe edhe një mjek psikiatër.
“Altin Çoku me rekorde kriminale por dënime minimale! Një skemë të ngjashme e kishte bërë dhe me mjekun psikiatër të cilit i dërgonte mesazhe dhe i kërkonte para. Vlera kishte vajtur deri në 4 mijë euro dhe mjeku ishte detyruar të bënte kallëzim. Është hetuar dhe gjykuar nga gjykata e krimeve të rënda, është dënuar me dy vjet e gjashtë muaj dhe me gjykim të shkurtuar ishte ulur në 1 vit e gjashtë muaj. Më pas Apeli e kishte pezulluar në pesë vjet shërbim prove që do të thotë se ai të rrinte në shtëpi të mos shkonte në lokale dhe të ndiqte trajnime”, tha ajo.
Banushi shton se Çoku hynte në TikTok pasi e reja ndërroi jetë, ndërsa shprehej se është “i sëmurë me kartelë dhe nuk bënte burg”.
“Meqë jemi në prag të miratimit të kodit të ri penal. Duhet të ndërhyjmë më shumë. Janë parashikuar disa ndëshkime por nuk është futur specifikisht në këto platforma. Ndaj tij është një akuzë shtyrje drejt vetëvrasjes por mund të ketë dhe një akuzë tjetër. Ky person ishte shumë i ftohtë dhe shumë i ambientuar me mediet. Ishte shumë gjakftohtë, thoshte nuk e kam bërë unë atë gjë, pra nuk e kam publikuar unë por e ka publikuar shoku i tij duke dhënë dhe emrin. Shokun nuk e kanë ndaluar pasi dhe prokurorët pretendojnë se është ky personi që e ka bërë.”/m.j