Shakira arriti një marrëveshje me prokurorët spanjollë për të zgjidhur çështjen e mashtrimit fiskal. Marrëveshja mbart një gjobë të madhe, por i kursen yllit të pop-it një dënim tre-vjeçar me kusht, sipas dokumenteve të gjykatës të publikuara nga ABC News.
Këngëtarja do të përballej me akuzat për evazion fiskal prej 14.5 milionë eurosh në një gjykatë të Barcelonës. Prokurorët donin ta burgosnin për tetë vjet dhe ta gjobisnin me 23.8 milionë euro nëse shpallej fajtore.
Ajo ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje dhe ka rënë dakord për të mbrojtur fëmijët e saj. “Fëmijët e mi nuk duan ta shohin nënën e tyre duke sakrifikuar mirëqenien e saj personale në këtë luftë”, kanë qenë fjalët e këngëtares.
Kolumbiania kishte refuzuar më parë një marrëveshje pranimi të fajësisë të ofruar nga prokurorët, duke zgjedhur në vend të kësaj të shkonte në gjyq.
“Ndërsa isha i vendosur të mbroja pafajësinë time në një gjyq që avokatët e mi ishin të sigurt se do të përfundonte në favorin tim, mora vendimin që përfundimisht ta zgjidhja këtë çështje në interesin më të mirë të fëmijëve të mi, të cilët nuk duan ta shohin nënën e tyre, që sakrifikon mirëqenien personale në këtë luftë. Më duhet të kapërcej stresin dhe barrën emocionale të viteve të fundit dhe të fokusohem në gjërat që dua – fëmijët e mi – dhe të gjitha mundësitë që më vijnë në karrierën time, duke përfshirë turneun tim të ardhshëm botëror dhe albumin e ri, për të cilin jam shumë e emocionuar. Unë i admiroj pafundësisht ata që i kanë luftuar këto padrejtësi deri në fund, por për mua, sot, fitorja është të kthej kohën time të humbur me fëmijët dhe karrierën time”, tha Sahkira.
Akuzat
Në korrik ishte hera e fundit që 46-vjeçarja ishte nën “mikroskopin” e autoriteteve. Ajo do të dilte gjithsesi në gjyq për akuza, që përfshinin 14.5 milionë euro taksa të prapambetura nga viti 2012 deri në 2014, por edhe për hetimin më të fundit mbi lëvizjet e saj në 2018. Inspektorët spanjollë filluan të shikonin provat e rezidencës tatimore të yllit të popit në 2018, duke dyshuar se ajo kishte shmangur taksat.
Për këtë rast prokurori ka kërkuar dënimin me burg deri në 8 vite ndaj yllit.
Këngëtarja më parë kishte një rezidencë të deklaruar në Bahamas, por ishte regjistruar si banore tatimore e Spanjës në vitin 2015, ku kaloi një kohë të konsiderueshme për shkak të marrëdhënies me Gerard Pique.
Ligji tatimor spanjoll thotë se ata që kalojnë më shumë se 183 ditë në vit në Spanjë konsiderohen si banorë të vendit për qëllime tatimore. Inspektorët tatimorë që morën përsipër hetimin thuhet se kaluan më shumë se një vit duke mbledhur prova, duke përfshirë shqyrtimin e mediave sociale të Shakira-s dhe vizitat në vendet e saj të preferuara në Barcelonë, për të mbështetur rastin e tyre se ajo po i shmanget taksave.
Ata arritën në përfundimin se ajo kishte kaluar 242 ditë në Spanjë në 2012, 212 ditë në 2013 dhe 243 ditë në 2014, përpara se të akuzohej për gjashtë akuza për mashtrim tatimor./Liberale.al