Shakatë po dalin jashtë kontrollit mes liderëve të vendeve të Amerikës Veriore. Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, u fut në garën e riemërtimeve duke risjellë në vëmendje dhe një hartë të vitit 1607 të atij kontinenti. Ajo sugjeroi që Amerika e Veriut, përfshirë Shtetet e Bashkuara, mund të riemërtohej “Amerika Meksikane”, një emër historik i përdorur në një hartë të hershme të rajonit, duke iu përgjigjur kështu paralajmërimit të Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, për të riemërtuar Gjirin e Meksikës si “Gjiri i Amerikës”.
“Kombet e Bashkuara njohin emërtimin Gjiri i Meksikës, por pse ne nuk e quajmë këtë Amerika Meksikane? Duke mirë, apo jo? Kushtetuta e Apatzingan e quajti atë Amerika Meksikane që nga viti 1607. Pra Le ta quajmë Amerika Meksikane. Gjiri i Meksikës është emërtuar që nga viti 1607 dhe është gjithashtu i njohur ndërkombëtarisht”, tha Claudia Sheinbaum, Presidente e Meksikës.
Presidentja, e cila është përplasur me Trump në javët e fundit, përdori konferencën e saj të përditshme për shtyp për të dhënë një mësim historie, të rrethuar nga harta të vjetra. Gjithashtu hodhi poshtë pretendimin e presidentit të zgjedhur amerikan se Meksika po drejtohet nga kartelet e drogës. Trump trazoi mbarë botën duke kërkuar jo vetëm riemërtimin e Gjirit të Meksikës, por marrjen nën kontroll të Kanalit të Panamasë dhe Groenlandës, si dhe sugjeroi aneksimin e mundshëm të Kanadasë.
Këto pretendime territoriale janë komentuar me shqetësim në Europë. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se partnerët e Trump në Bashkimin Europian nuk i kuptojnë deklaratat e tij për Groenlandën dhe Kanadanë. Ministri i jashtëm i Francës përdori një ton më të ashpër duke nënvizuar se BE-ja nuk do të tolerojë sulme në kufijtë e vendeve anëtare, duke iu referuar Danimarkës, pasi Groenlanda është pjesë e territorit të saj. “Sovraniteti i shteteve duhet të respektohet”, ishte komenti zyrtar që erdhi nga Komisioni Europian.