Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, refuzon një takim të mundshëm me homologun nga Serbia, Aleksandër Vuçiç, gjatë samitit të Komunitetit Politik Europian që po mbahet në Spanjë.
Ajo kërkoi që fillimisht t’i vendosen sanksione Serbisë për të dënuar agresionin e armatosur të 24 shtatorit.
“Ishte një sulm i urdhëruar nga udhëheqësit në Serbi. Spanja është një shtet që ka kontribuuar në paqe dhe stabilitet në të gjithë kontinentin europian. Shpresoj që ata të kuptojnë se mbështetja ndaj një vendi agresor, gjë për të cilën ka prova të qarta që e lidhin me ngjarjen e 24 shtatorit, nuk do të ndihmojë paqen dhe stabilitetin. Prandaj shpresoj që Spanja t’u bashkohet vendeve të tjera në Europë që mendojnë njësoj për të vendosur masa kundër Serbisë për këtë akt të tmerrshëm që ka kryer, jo vetëm kundër Kosovës, por edhe ndaj paqes dhe stabilitetit në të gjithë kontinentin europian… ne nuk kemi konfirmuar takime veçmas, por jam e sigurt se do ta kemi mundësinë, pasi në këtë event shumica e diskutimeve zhvillohen kur ne jemi të gjithë në të njëjtën dhomë, kështu që shpresoj se do ta kemi mundësinë që ta diskutojmë këtë gjë. Nuk kam asnjë arsye që ta takoj atë përpara se të vendosen sanksione ndaj Vuçiçit. Fillimisht sanksione dhe më pas mund të flasim për të tjera”, tha Osmani.