Rritja e nivelit të rrezikut të sigurisë me gjasë do të mbetet në fuqi deri më 2 korrik në Serbi, pas incidentit të ndodhur pranë ambasadës së Izraelit, ku mbeti i plagosur një polic.
Këtë e tha presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili në një intervistë televizive u përpoq të siguronte qytetarët e vet se vendi ishte i sigurt dhe se gjithçka do të zgjidhej brenda së martës.
“Sipas të gjitha statistikave, Serbia është ndër vendet më të sigurta në Evropë dhe në botë, dhe Beogradi është ndër qytetet më të sigurta. Qytetarët mund të jenë të qetë, Serbia është mjaft e fortë për të luftuar terrorizmin’, tha presidenti.
Sipas Vuçiç, agresori i cili sulmoi policin me hark me shigjeta para se të vritej kishte qenë i trajnuar mirë.
Gjendja e efektivit vlerësohet si jashtë rrezikut për jetën. Gjatë intervistës kreu i shtetit serb u shpreh i shqetësuar për fatin e botës, për shkak të konflikteve të ndryshme. Ai paralajmëroi se i pret një kohë e vështirë, dhe se lufta mes Hezbollahut dhe Izraelit është e pashmangshme.
Sakaq, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç tha për televizionin publik serb se dy persona janë arrestuar lidhur me incidentin e së shtunës, ndërsa theksoi se “terrorizmi nuk mund ta mposhtë shtetin”.
Ai tha se aksioni policor po vazhdon në mbarë Serbinë dhe mbrëmë disa lokacione janë kontrolluar dhe dhjetëra persona janë marrë në pyetje.
Agresori i vrarë u identifikua si Millosh Zhujoviq, i cili sipas Daçiqit, ishte nga Mlladenovaci dhe ishte konvertuar në islam.
/a.r