Dy të rinj, 24 dhe 20 vjeç, kanë rënë në pranga gjatë një operacioni të zhvilluar nga sektori i Antidrogës në Policinë e Tiranës.
Policia bën të ditur se është sekuestruar 1 kilogramë e 50 gramë kokainë me vlerë tregu 270 mijë Euro.
“Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit K. S., 24 vjeç, dhe E. M., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë. Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Kastriotët”, automjetin me drejtues shtetasin K. S., dhe pasagjer shtetasin E. M. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit K. S., shërbimet e Policisë i gjetën 1 kg e 50 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë”, njoftojnë blutë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/a.r