Sektori energjetik, Gjermania 386 milionë euro në total Shqipërisë, nis ngritja e Linjës së Transmetimit me Maqedoninë

Sot nisi ndërtimi i elementit të parë të linjës së transmetimit të tensionit të lartë ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Linja 400 kV do të jetë ndërlidhja e parë elektrike midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe do të mundësojë shkëmbime të energjisë elektrike ndërmjet të dy sistemeve energjetike.

Në ceremoninë e hedhjes së themeleve në nënstacionin e Elbasanit morën pjesë Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, znj. Belinda Balluku, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri Z. Silvio Gonzato, Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri Z. Karl Bergner, Drejtoresha e Zyrës së KfW në Shqipëri znj. Brit Horschke dhe autoritetet përkatëse.

Projekti siguron financim prej 15.7 milionë euro si një marrëveshje granti e ofruar nga Bashkimi Europian përmes Facilitetit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe 50 milionë euro kredi nga Qeveria Gjermane përmes Bankës për Zhvillim KfW. Linja e transmetimit do të përmirësojë integrimin e Shqipërisë në sistemin rajonal të energjisë dhe do të forcojë lidhjet e tensionit të lartë lindje-perëndim duke mbyllur unazën 400 kV me Greqinë.

“Ky është një projekt strategjik për Shqipërinë, rajonin dhe BE-në. Linja e re e transmetimit ndihmon kalimin në energji të pastër, duke lehtësuar transmetimin e energjisë së rinovueshme brenda dhe jashtë Shqipërisë. BE-ja i ofron Shqipërisë në përgjithësi më shumë se 125 milionë euro grante për programe të ndryshme energjetike, të gjitha të orientuara drejt tranzicionit energjetik. Energjia do të mbetet në qendër të bashkëpunimit tonë me Shqipërinë”, tha ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.

Projekti do të kontribuojë më tej në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare dhe në forcimin e integrimit rajonal në fushën e energjisë, si dhe në përmirësimin e besueshmërisë së furnizimit dhe rritjen e tregtisë rajonale të energjisë elektrike midis dy vendeve si dhe në rajonin e Ballkanit në përgjithësi.

Është një arritje historike e Partneritetit Rajonal të Klimës, zbatimi i të cilit u ra dakord midis WEB6 dhe Gjermanisë në samitin e procesit të Berlinit në Tiranë në tetor 2023.

Në Shqipëri, KfW financon Bashkëpunimin Financiar Gjerman përmes projekteve dhe programeve të ndryshme. KfW ofron ndihma grant dhe kredi koncesionare për investime kyçe dhe shërbime konsulence të lidhura me projektet. Bashkëpunimi gjerman për zhvillim me Shqipërinë filloi në vitin 1988. Që atëherë, qeveria gjermane ka akorduar më shumë se një miliard euro për projekte zhvillimi. Sektori i energjisë është një fushë prioritare në kuadër të bashkëpunimit financiar gjerman me Shqipërinë, me një portofol aktiv prej 386 milionë euro.

WBIF është një nismë e përbashkët e Komisionit Evropian, Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankës Evropiane të Investimeve (EIB), donatorëve dypalësh dhe përfituesve të Ballkanit Perëndimor e nisur në dhjetor 2009 me qëllim të ofrimit të asistencës financiare dhe teknike për investime strategjike. KfW dhe Banka Botërore më pas iu bashkuan platformës. Në dhjetor 2018, Agence Française de Développement (AFD) u bë një organizatë pjesëmarrëse në WBIF. /Liberale.al/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com