Analisti Neritan Sejamini, duke komentuar në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN TV, kandidimin e Gjergj Hanit një vit më parë përballë Lulzim Bashës, bëri një analizë të përgjithshme të sistemit politik dhe shoqërisë shqiptare. Sipas Sejaminit, partitë shqiptare ngjajnë me Partinë e Punës dikur, ndërsa shoqëria shqiptare ka mendësi autokratike, të nënshtrimit dhe nuk lufton për të vërtetën.
“Në vitin 1990 në Shqipëri u vendos pluralizmi politik, pas falimentimit të rregjimit komunist dhe ndryshimeve që ndodhën në Evropën Lindore dhe në botë. Në krye të një viti, Partia Demokratike erdhi në pushtet dhe nisi të qeveriste. Në shoqërinë shqiptare, megjithëse kishin qenë 45 vjet komunizmi nuk pati asnjë lloj reflektimi, nuk u morëm me të shkuarën se si ndodhi që u izoluam nga gjithë bota, si zhdukëm fenë, që mbushëm vendin me bunker, që persekutuam njëri-tjetrin. Brohoritëm kundër Enver Hoxhës dhe komunzimit, erdhi në pushtet PD-ja dhe u quajt e ezauruar komunizmi dhe e ardhmja e demokracisë. Por ky është një proces thjeshtë që u ndryshua pushteti, por mentaliteti dhe mendësia politike mbeti e pandryshuar. Partitë politike sot janë institucioni më i afërt me institucionet e komunizmit, nuk kanë ndonjë ndryshim të madh nga Partia e Punës. Nuk kemi persekutimin politik të kundërshtarit që nuk e marrin dhe ta fusin në burg, por mënyra se si veprojnë partitë politike janë identike. Edhe përjashtimi nga partia është si në kohën e Enverit. Edhe grupet armiqësore.
Edhe këto zgjedhjet që bëhen janë dogma, jo se njerëzit e ndjejnë se duhet garë.
Problemi në PD u shfaq në prill 2021 kur PD humbi zgjedhjet dhe rizgjodhi Bashën në krye të saj edhe pse kishte humbur disa herë zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale dhe kjo parti ishte e gatshme të kishte po këtë udhëheqës. Kjo tregon se anëtarët e PD-së nuk e kanë mendësinë e zhvillimit demokratik, të konkurencës, të ndryshimit të elitave, të ecjes përpara, që dikujt i jepet mundësia, por kur nuk të çon atje ku premton, duhet të hapë rrugën dhe të vijë dikush tjetër. Ata janë njerëz që i venë pas udhëheqësit, kushdoqoftë.
Në këto kushte është e kotë që ne të flasim për detaje, çfarë ndodhi, ndodhi se ne po flasim për një parti që thellësisht edhe mënyrën e organizimit të vet dhe në mendësinë e anëtarësisë së vet nuk ka tipare demokratike.
Problemi është edhe më i madh. E gjithë shoqëria shqiptare ka mendësi autokratike, të nënshtrimit dhe nuk e vlerëson demokracinë, konkurencën e lirë dhe individin. Vlerëson udhëheqësin, pushtetin, respekton pushtetin, i përulet atij, madje i nënshtrohet dhe kjo reflektohet kudo. Se ne flasim për partitë politike.Të gjitha partitë janë kështu. Zoti Nano është i vetmi përjashtim, të tjerët janë të njëjtë, edhe ata të partive të vogla dhe të mëdha. Kanë ikur vetëm ata që kanë vdekur dhe ata që janë zëvendësuar dhe ata që nuk janë zëvendësuar nuk kanë ikur asnjëherë. Kështu është te shoqatat, te federatat, sindikatat, dhomat e avokatisë, të tregtisë, janë të njëjtët persona që kanë nga 30 vjet”- tha Sejamini.
/a.r