Presidenti Bajram Begaj ka bërë thirrje për një rrugë imediate drejt paqes në Ukrainë, për të ndalur tragjedinë njerëzore dhe konfliktin që rrezikon Europën e vetë botën.
Z. Begaj iu drejtua të dielën Samitit të Paqes për Ukrainën. Para liderëve botërorë të mbledhur në qytetin Burgenstok të Zvicrës, presidenti deklaroi: “Shqipëria e konsideron formulën e paqes të presidentit Volodimir Zelenski si mënyrën për të rikthyer një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën. Çdo proces paqeje duhet të drejtohet nga Ukraina.”
Presidenti Begaj konfirmoi vijimësinë e mbështetjes për Ukrainën derisa të arrihet paqja, në përputhje me Kartën e OKB-së, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa nënvizoi faktin që Rusia duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e saj.
“Rruga drejt paqes nuk duhet të jetë kurrë një rrugë dorëzimi. Ajo duhet të jetë një rrugë e ndërtuar me guximin për të mbajtur lart vlerat tona,” tha z. Begaj.
Begaj kërkon nga Moldavia dhe Kenia që të njohin Kosovën
Presidenti Bajram Begaj ka kërkuar nga homologia Maia Sandu, që Moldavia të njohë pavarësinë e Kosovës.
Në një takim që dy krerët e shteteve mbajtën në Lucernë të Zvricrës, në kuadër të Samitit të Paqes për Ukrainën, z. Begaj veçoi kontributet e Moldavisë në mbrojtjen territoriale dhe të rendit në Kosovë.
“Gjatë takimit tonë konfirmova mbështetjen e Shqipërisë për Moldavinë në rrugën e saj drejt BE-së. I kërkova të rimendojë vendimin për njohjen e Kosovës dhe të mbështesë anëtarësimet e saj ndërkombëtarisht. Jemi mirënjohës për kontributet e Moldavisë në KFOR,” njoftoi presidenti Begaj nëpërmjet rrjetit “X”.
Çështjen e Kosovës, presidenti Begaj e trajtoi edhe gjatë takimit me homologun afrikan të Kenies, Uilliam Ruto (o. William), të cilit i përsëriti kërkesën për njohjen zyrtare, duke theksuar se një lëvizje e tillë i shërben zgjerimit të frymës së paqes dhe sigurisë. “Shqipëria dhe Kosova,” theksoi z. Begaj, “janë në të njëjtën linjë të politikës së bashkëpunimit kolektiv për shmangien e konflikteve.”
Presidenti i Shqipërisë zhvilloi gjithashtu takime me homologët e Kosovës, Malit të Zi, Sllovenisë, si dhe me drejtues të organizatave që marrin pjesë në Samitin për Ukrainën, përfshi edhe presidentin e Këshillit Evropian, Sharl Mishel (o. Charles Michel). /X
/a.r