Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka publikuar një foto në rrjetin social “Instagram” ku duket në shoqërinë e kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit të Bashkimit Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Bashkangjitur fotos e cila është shkrepur në Tiranë, Vuçiç shkruan se ky takim kishte në fokus përforcimin e lidhjeve ekonomike mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe krijimin e një tregu të vetëm për këto vende.
Ndër të tjera, bëhet me dije se takimi u bë me rastin e Samitit Rajonal për Planin për Rritje dhe Përafrim Ekonomik, që mbahet nesër në kryeqytetin shqiptar.
“Ne jemi mbledhur këtu për të diskutuar tema që janë me rëndësi jetike për Ballkanin Perëndimor.
Lidhja e ekonomive, heqja e pengesave dhe përparimi drejt një tregu të vetëm janë synime të mëdha që çojnë në zhvillimin thelbësor të vendit dhe rajonit tonë dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë.
Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mori pjesë në darkën gala me rastin e Samitit Rajonal për Planin për Rritje dhe Përafrim Ekonomik, që mbahet nesër në Tiranë”,- thuhet në postim.