Avokatët deputetit demokrat Ervin Salianji kanë depozituar një ditë më parë, në Gjykatën e Tiranës, një kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burg.
Kujtojmë se Gjykata e Apelit shpalli disa ditë më parë vendimin e formës së prerë për Ervin Salianjin, i cili akuzohet për kallëzim të rremë në dosjen “Babale”, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që e kishte dënuar me 1 vit burg.
Përveçse do të përfundojë pas hekurave, Salianji do të humbasë edhe mandatin si deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Korçës.
Neni 71.1 i Kushtetutës përcakton se deputeti e humb mandatin e tij kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Konstatimi i humbjes së mandatit të tij do të formalizohet përmes Këshillit të Mandateve në Kuvend që njofton Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vakancën e krijuar. Në momentin që KQZ njoftohet se është krijuar një vakancë në Kuvend, përcakton se cilit qark dhe cilës forcë politike i përket mandati i mbetur bosh.
Gjasat janë që mandati i Salianjit t’i takojë ish-prefektit të qarkut të Korçës, Andrea Mano.
Një ditë para se të merrej vendimi, deputeti demokrat lëshoi në A2 CNN, akuza ndaj gjyqtarit të shkallës së parë, që e dënoi me një vit burg.
Ndërsa për gazetarin Jetmir Olldashi vendimi i Gjykatës së Apelit është 100 orë punë në komunitet.
/a.r