Sajoi kërcënimin me jetë, KLGJ pezullon nga detyra gjyqtaren Arnisa Këlliçi

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur pezullimin nga detyra të Gjyqtares Arnisa Këlliçi, e cila është marrë e pandehur nga Prokuroria e Tiranës nën akuzën për kallëzim të rremë, pas pretendimeve të saj se ishte kërcënuar me jetë ajo edhe familja e saj.

Në një kallëzim të depozituar më 20 Janar, gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës pretendoi se kishte marrë një letër kërcënuese që ia kishin vendosur në zyrën e saj, por sipas organit hetues ka rezultuar se letra kërcënuese është shkruar nga vetë Arnisa Këlliçi.

“E dashur gjyqtare A….., keni dy fëmijë, D…… dhe R…….. Mendoni për ta se mund të rroni ju e jo ata dhe kjo është e rëndë. Me respekt!”, shkruhej në letrën që gjyqtarja pretendoi se i kishe shkuar me anë të postës në zyrën e saj në institucionin e drejtësisë.

Në denoncimin e saj, gjyqtarja është shprehur se kur ka shkuar në zyrë pasi kishte një seancë gjyqësore, me objekt, shuarje mase sigurimi gjeti në tavolinën e saj të punës mbi dosje një zarf dhe brenda tij ishte letra, të cilën pasi e kishte lexuar, e ka futur në kasafortë.

“Për këtë letër nuk ka asnjë të dhënë tjetër apo dyshime, por është ndjerë e trembur, sepse janë perdorur emrat e fëmijëve të saj. Nga ana e organit të prokurorisë janë kryer hetime intensive me qëllim sigurimin e provave të ngutshme sikurse administrimi i pamjeve filmike pranë gjykatës, marrja në pyetje e personave, marrja e modeleve të lira dhe eksperimetale, kqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve si dhe kryerja e ekspertimeve dhe në përfundim është arritur në konkluzionin, referuar rrethanave dhe aktit të ekspertimit grafik, se letra objekt hetimi, është shkruar nga vetë kallëzuesja shtetasja A. K.”, informon Prokuroria.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com