Nga Poli Hoxha
Fenomeni “gazbardhi” në politikën shqiptare, me gjasa do të diskutohet gjatë.
Jo për neverinë e imoralitetit politik që la pas kalimi i beftë i ylberit, nga antiberishist dhe akuzator i ashpër i tij në aleat të ngushtë, por për “misterin” që ende mbështjell ky akt.
Themi që nuk është problem imoraliteti politik, sepse aty ku ka shkuar Bardhi, “morali” është përmjerë me kohë që kur Berisha është bërë aleat me Metën, të cilin e ka pas akuzuar për më të zezat e kësaj toke, kurse ky gjithashtu, nuk e ka kursyer as atë dhe as të birin Shkëlzenin.
Pra “mister” mbetet shkaku, arsyeja e vërtetë që e ka shtyrë Bardhin dhe disa deputetë që jo vetëm po shkelin mbi vetveten dhe PD-në euroatlantike, por së fundmi morën guximin që të sfidojnë direkt, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë u kujtoj se qëndrimi i tyre ndaj Berishës nuk ka ndryshuar, por mbi të gjitha i “këshilloj”, (lexo-paralajmëroj), “gazbardhistët” që të mos e ndihmojnë “minuesin e demokracisë dhe të korruptuarin” e shpallur non grata prej tyre.
Nënteksti ishte i qartë: Mjaft luajtët me dy porta, ose me ne ose me atë që ne e kemi shpallur simbol të korrupsionit dhe minimit të demokracisë shqiptare!
Gazment Bardhi përpara këtij ultimatumi amerikan përbetohej, studio më studio, se “Mes SHBA dhe Sali Berishës, unë zgjedh SHBA”.
Kaluan vetëm ca ditë që nga “këshillimi” amerikanë dhe Gazment Bardhi e nxori kokën hapur.
Njësoj si Juda me Jezusin pa kënduar mirë gjeli, (ai që pjell monedha të arta?!), Bardhi e harroj përbetimin.
E mohoi dhe po e sfidon SHBA, duke zgjedhur përfundimisht Sali Berishën.
Nëse ju kujtohet përpara zgjedhjeve të 14 majit, Escobar, në një intervistë me Grida Dumën duke folur për “zjarrvënësin” Berisha, paralajmëroj, edhe “fijet e shkrepses” që ai përdorë.
Atëherë “fije shkrepëse” në duar e Berishës e cila dukej qartë, ishte Ilir Meta i cili e futi Rithemelimin ilegal në zgjedhje dhe e mban vërdallë si “kryeopozitarë”.
Gjithashtu ata që kishin informacion më “sekret” e dinë mirë që edhe Edi Rama është klasifikuar tashmë nga amerikanët, si ndihmës i dorës së parë në zjarrin që mban ndezur Berisha në PD, opozitë dhe gjithë demokracinë shqiptare.
Deri këtu, Berisha që ndez zjarre dhe Rama që u hedh benzinë, e dinim.
Por ndërkohë që demokratët, shqiptarët, SPAK dhe perëndimorët po i lagin dhe po i thyejnë një nga një nga fijet e shkrepësve të Berishës me gjithë atë vetë, se Gaz Bardh “perëndimori” do të vetëofrohej si ndihmësi i fundit, shumëkush nuk po e shpjegon dot me logjikë!
Mirë Meta dhe Rama që i kanë hallet e tyre të shkruara në ballë dhe te defterët e SPAK, po Gaz Bardhin çfarë e detyron që të këmbëngulë të rikthejë Berishën në grupin parlamentarë të PD duke zhbërë kërkesën e SHBA për Bashën?!
Pse ndien detyrim-përcaktim që të përpiqet të çojë zëvendësin e nongratës te Rithemelimi, Bylykbashin, si bashkëkryetar të Reformës Zgjedhore e cila është nën kujdestarinë e amerikanëve?!
Çfarë detyrimesh madhore personale ka ndaj lëvizjes antiamerikane të Berishës dhe arrin deri aty, merr guximin, sa të mos e dëgjojë këshillën- ultimatum të ambasadës pas takimit të Kukësit?!
Pra sa i madh paska qenë ky “halli” i Gazment Bardhit, sa po i bën karshillëk dhe po sfidon SHBA e BE, të cilat deri dje i përdori nën rrogoz duke mashtruar deputetë e demokratë, se gjoja po bashkohej me Berishën pas bekimit të tyre?!