Shefi ekzekutiv i kompanisë Ryanair ka njoftuar se udhëtarët do të përballen me çmime më të larta këtë verë pasi kompania ajrore ka hasur në vështirësi për sigurimin e avionëve të ri Boeong.
Michael O’Leary, tha se çmimet e biletave të Ryanair-it mund të jenë 10 për qind më të shtrenjta krahasuar me një vit më parë. Ai tha se kompania ka pritur që të sigurojë 57 aeroplanë Boeing 737 Max 8200 deri në mars, mirëpo kompania beson se vetëm 40-45 do të mund të arrijnë në kohë deri në sezonin e verës.
Kreu ekzekutiv i Ryanair tha se edhe disa kompani tjera po përballen me probleme për shkak të vonesave të njëjta dhe çmimet do të rriten edhe në ato kompani. Boeing është përballur me kritika qëkur një prej aeroplanëve të tij pati një problem gjatë një fluturimi.
Incidenti nuk rezultoi me lëndime serioze të pasagjerëve, por detyroi ekuipazhin të kryente një ulje emergjente. Që atëherë dilemat për kualitetin e aeroplanëve të rinj Beoing janë rritur, duke nxitur kështu ngadalësim të prodhimit. Sipas parashikimeve të kompanisë, Ryanair pritet të transportojë deri në vitin 2025 rreth 205 milionë njerëz.