Rusia ka deklaruar se trupat e saj sulmuan një qendër armatimi të Ukrainës, ndërsa trupat ukrainase nga ana e tyre informojnë se zmbrapsën ofensiva të shumta ruse në fronte të ndryshme.
Ministria ruse e Mbrojtjes bëri me dije se forcat e armatosura kishin ndaluar disa sulme nga ushtria ukrainase dhe goditën objektet ushtarake të Ukrainës, duke përfshirë një qendër logjistike të ushtrisë, disa stacione të luftës elektronike dhe depo municionesh. Përveç kësaj, sistemet ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan disa raketa taktike ATACMS të prodhuara nga SHBA po ashtu dhe dronë.
Nga ana tjetër, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës raportoi se forcat ukrainase ishin përfshirë në mbi 100 përballje me ushtrinë ruse në zonat e vijës së frontit në drejtime të ndryshme. Luftimet më intensive u raportuan në drejtim të Pokrovsk.
Të hënën, Ministria e Jashtme ruse dhe sekretari i shtypit i Kremlinit Dmitry Peskov fajësuan Shtetet e Bashkuara për përfshirjen e tyre në një sulm ukrainas në Sevastopol. Rusia tha se Ukraina përdori raketa të prodhuara nga SHBA në këtë sulm, duke vrarë katër dhe duke plagosur 144 të tjerë.
Ministria e Jashtme ruse dënoi Ukrainën për sulmin ajror në një deklaratë, duke akuzuar SHBA-në dhe aleatët e saj se mbështesin veprime të tilla. Rusia e cilësoi atë si një tjetër akt terrorist të urryer kundër civilëve rusë, duke u zotuar se ata që janë përgjegjës për sulme të tilla do të përballen me pasoja.
Në përgjigje të akuzave të Rusisë, një zëdhënës nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes tha se sulmi ishte planifikuar dhe ekzekutuar në mënyrë të pavarur nga Ukraina. Deri tani, Ukraina nuk i është përgjigjur zyrtarisht akuzave të Rusisë.
/a.r