Rusia ngre 14 bombardues mbi Kiev, ushtria ukrainase shkatërron qendrën e flotës ruse në Krime

Sulme të ashpra me raketa e dronë janë regjistruar mes Ukrainës dhe Rusisë, në ditën e 760 të luftës mes palëve, ndërkohë që një tryezë bisedimesh për paqe ende nuk shihet në horizont.

14 avionë bombardues rusë Tu-95MS kanë fluturuar gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit mbi Ukrainë dhe kanë hedhur raketa në disa qytete, me objektiv kryesor Kievin.

Aviacioni ukrainas bën me dije se ka qenë në gjendje alarmi për disa orë, teksa konfirmon se pjesa më e madhe e këtyre raketave u shkatërruan nga sistemi mbrojtës. Autoritetet konfirmojnë për Ukrainska Pravda se ky ishte sulmi i tretë radhazi i përmasave të mëdha kundër Ukrainës në 4 ditët e fundit.

Ndërkohë që nuk ka munguar as reagimi i ushtrisë së Zelenskyt, e cila raportohet të ketë goditur me 3 raketa një qendër komunikimi të flotës ruse në rajonin e pushtuar prej vitesh tashmë të Krimesë.

Moska konfirmon se ka rrëzuar 10 raketa ukrainase që kishin objektiv qytetin e Sebastopoli në Krime, teksa nuk thotë asgjë për qendrën e goditur prej tyre.

Intensiteti i sulmeve ruse në ditët e fundit ka qenë i madh dhe ka sjellë dhe reagimin e fqinjëve, mes tyre dhe të Polonisë, e cila deklaron se gjatë 24 orëve një raketë ruse ka hyrë për disa sekonda në hapësirën e saj ajrore, duke aktivizuar sistemin e alarmit. Megjithatë, fluturimi i kësaj rakete është monitoruar nga radarët deri sa ajo ka dalë sërish nga territori polak.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com