Megjithëse grupi miltant Shteti Islamik (ISIS) mori përsipër sulmin e së premtes në Moskë me mbi 130 të vrarë dhe më shumë se 180 të plagosur, Rusia pretendon se Ukraina mund të ketë pasur rol në të.
Dyshimet u ngritën të hënën nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakarova (o. Zakharova), e cila përmes një artikulli në gazetën “Komsomolskaya Pravda” u shpreh se deklaratat e SHBA-së mbi ISIS-in mund të mos jenë krejtësisht të vërteta dhe se pala amerikane do që të shpëtojë Ukrainën nga përgjegjësia.
Reagimi erdhi pasi dy zyrtarë amerikanë thanë të premten se nga informacionet e tyre, sulmin e kreu Shteti Islamik. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov (o. Dmitry) u tha gazetarëve se nuk do të komentojë mbi ISIS-in pa u mbyllur hetimet paraprake.
“Hetimi vijon. Deri tani nuk kemi asnjë version për të treguar. Për fat të keq, bota jonë na tregon se nuk ka qytet, shtet plotësisht imun ndaj kërcënimit të terrorizmit. Lufta kundër terrorizmit është proces i vazhdueshëm, që kërkon bashkëpunim ndërkombëtar të gjithanshëm. Por tani shihet që në këtë periudhë akute konfrontimesh, ky bashkëpunim nuk po arrihet plotësisht,” tha z. Peskov.
Ndërkohë, presidenti francez Emanuel Makron (o. Emmanuel Macron) konfirmoi të hënën se grupi i terroristëve kishte tentuar së fundmi të kryente akte të ndryshme të ngjashme “edhe në tokën tonë”. Franca të dielën rriti nivelin e gatishmërisë ndaj terrorizmit në gradën më të lartë.
Të premten mbrëma, katër persona u arrestuan për akte terrorizmi në Sallën e Qytetit të Krokusit, të cilën lëshuan breshëri plumbash ndaj pjesëmarrësve në koncertin e grupit rok, Piknik. Zyrtarët amerikanë thanë se e kishin paralajmëruar Rusinë për një sulm në fillim të muajit.
Sipas presidentit rus Vladimir Putin, disa persona “nga krahu i Ukrainës” i kishin ndihmuar agresorët përtej kufirit, përfshirje e cila është hedhur poshtë nga homologu i tij ukrainas, Volodimir Zelenski (o. Volodymyr Zelensky).
Rusia ka ndaluar 11 persona në lidhje me ngjarjen, përfshirë edhe katër të dyshuarit, të cilët pasi u larguan nga vendngjarja u drejtuan nga rajoni i Brianskit, rreth 340 km në jugperëndim të Moskës për të kaluar kufirin për në Ukrainë.
/a.r