Rusia “ka mbuluar” Ukrainën me dronë. Presidenti Volodymyr Zelensky thotë se vetëm në gjysmën e parë të shtatorit, trupat pushtuese kanë lëshuar më shumë se 640 dronë shahedë kundër qyteteve dhe fshatrave të vendit të tij. “Fatmirësisht, pjesa më e madhe e tyre janë rrëzuar nga ushtarët tanë”, konfirmon lideri ukrainas, duke shtuar se po punon për ta bërë sa më efikase mbrojtjen ajrore.
Trupat e Zelenskit rrëzuan dronë të ndryshëm në orët e fundit, që kishin si shënjestër kryeqytetin Kiev. Nuk ka pasur raportime për të lënduar apo dëme materiale. Nga ana e saj, edhe Ukraina është hakmarrë ndaj Rusisë. Raportohet për 8 persona të plagosur në rajonin e Belgorodit.
Por Moska pretendon çlirimin e dy fshatrave në Kursk, ku trupat e Zelenskit nisën një inkursion surprizë muajin e kaluar. Disa ditë më parë u raportua një kundërofensivë e Rusisë për të rimarrë tokën që konsiderohet e pushtuar nga Ukraina.
Këto zhvillime vijnë në një kohë, kur presidenti rus, Vladimir Putin, firmosi një dekret që rrit zyrtarisht numrin e personelit në Forcat e Armatosura në rreth 2.4 milionë njerëz, përfshirë 1.5 milionë ushtarë. Hera e fundit kur u firmos një dekret i tillë ishte dhjetori i viti të kaluar, kur u numrat ishin 2.5 milionë personel, përfshirë 1.3 milionë ushtarë. Putin urdhëroi qeverinë që të marrë masat e nevojshme dhe të alokojë fondet e duhura në drejtim të ministrisë së mbrojtjes.
/a.r