Delyan Peevski, politikan dhe një prej oligarkëve më të fuqishëm në Bullgari, është figurë enigmatike. Përveç disa hoteleve që ai thuhet se frekuenton, askush nuk e di se ku jeton ai. Rrallë shihet në rrugë dhe preferon që në parlament të dërgohet me një konvoj makinash, si dhe me roje sigurimi.
Megjithatë, nëse pyesni ndonjë politikan bullgar se kë duhet fajësuar për krizën aktuale politike, meqë Bullgaria po përballet me zgjedhjet e shtata të parakohshme në tri vjet, shumica, me shumë mundësi, adresë e kanë Peevskin, 44-vjeçar.
Ky oligark ka vepruar me vite mbrapa perdeve. Ai kontrollon shumicën e gazetave dhe mediave, dhe kështu ka dorë të madhe në formësim të opinionit publik.
Më 2018, organizata ndërkombëtare, Reporterët pa Kufij, u ka dhënë jehonë akuzave “për korrupsion dhe përzierje në mes të mediave, politikanëve dhe oligarkëve”, në Bullgari, të cilat Peevski i mohon, duke thënë se kundërshtarët e tij politikë u bëjnë presion grupeve ndërkombëtare për të drejta të njeriut që ta përfshijnë emrin e tij nëpër raporte.
Duke qenë se ka shërbyer si deputet në Parlament prej vitit 2009, dhe ka mbajtur disa pozita shtetërore, përfshirë atë të shefit të agjencisë së kundërzbulimit në Bullgari, Peevski ka ndikim të konsiderueshëm te figurat politike dhe institucionet shtetërore.
Trazira politike
Më 2023, ky manjat mediash ka nisur të marrë pjesë rregullisht nëpër seanca parlamentare dhe ka folur para mediave. Në fillim të vitit 2024, ai është bërë kryesues i Lëvizjes për Liri dhe të Drejta (DPS), parti që tradicionalisht ka përfaqësuar minoritetet etnike turke dhe myslimane të Bullgarisë.
Në qershor, ai e ka udhëhequr partinë në zgjedhjet parlamentare, e cila ka dalë e dyta, duke fituar 47 prej 240 ulëseve parlamentare në total.
Teksa ai ka qenë yll në rritje në politikë, Bullgaria ka hyrë në një fazë të pashembullt të trazirave politike. Prej vitit 2009 e deri më 2021, partia e qendrës së djathtë, GERB, e udhëhequr nga Boyko Borisovi, ka udhëhequr pothuajse pa asnjë ndërprerje.
Mirëpo, prej vitit 2021, Bullgaria ka përjetuar gjashtë palë zgjedhje parlamentare.
GERB-i ka fituar katër prej tyre, mirëpo nuk ka arritur kurrë që të formojë Qeverinë.
Për një banor të rëndomtë bullgar, Peevski është epitomë e botës nën hije të korrupsionit dhe krimit të organizuar, që shumë besojnë se e ka përfshirë shtetin.
Ai mund të jetë njëri prej politikanëve më pak të besueshëm në Bullgari.
Në një sondazh të kryer së fundmi, vetëm dy për qind e bullgarëve kanë thënë se i besojnë atij, për dallim prej 88 për qind të respondentëve që e mendojnë të kundërtën.
Sipas Aktit Magnitsky, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Peevskit, duke e akuzuar atë për korrupsion dhe ndikim, “me qëllim të mbrojtjes së vetes nga gjyqi publik, dhe që të shtrijë kontrollin në institucione dhe sektorë kyç shtetërorë”.
Mbretëria e Bashkuar ka vendosur, gjithashtu, sanksione ndaj tij, duke thënë se Peevski është përfshirë “në tentimet për të ushtruar kontroll në institucionet dhe sektorët kyç të shoqërisë bullgare, përmes ryshfetit dhe përdorimit të mediave të veta”.
Peevski, në anën tjetër, si manjat mediash dhe politikan, ka nisur kontekst ligjor ndaj sanksioneve dhe mohon vazhdimisht akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Ai ka nisur proces gjyqësor në SHBA për heqje sanksionesh, duke pretenduar se akuzat janë të motivuara politikisht.
Partner “toksik”
Reputacioni i tij i dëmtuar nënkupton që shumë politikanë bullgarë tani refuzojnë të punojnë me të.
Për ta, Peevski është “toksik”, ka thënë Dimitar Bechev, ligjërues në Shkollën e Oksfordit për Studime Globale, si dhe hulumtues i lartë në Institutin Carnegie Europe, me bazë në Bruksel.
Hristo Ivanov, njëri prej liderëve të koalicionit reformist pro-perëndimor, Ne vazhdojmë ndryshimin – Bullgaria demokratike (PP-DB), i ka thënë Shërbimit bullgar të Radios Evropa e Lirë, më 30 korrik, se “problem thelbësor i Bullgarisë është ‘shteti i kapur’, i cili në vjetët e fundit është personifikuar më së shumti me Peevskin”.
Shumë politikanë bullgarë tani kanë nisur të besojnë se çdo bashkëpunim me këtë manjat mediash do t’ua humbë votat.
Koalicioni, Ne vazhdojmë ndryshimin – Bullgari demokratike (PP-DB), veçse mund t’i ketë parë pasojat e një bashkëpunimi të ngushtë me partinë DPS të Peevskit në periudhën, qershor 2023 deri në prillin e këtij viti.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të Bullgarisë, të mbajtura në qershor, mbështetësit e tij e kanë braktisur koalicionin në masë.
Partia GERB, e cila ka punuar ngushtë dhe publikisht me Peevskin, është përballur së fundmi me gjakderdhje të vazhdueshme, sa i përket mbështetjes së votuesve.
I lëkundur për reforma
Politikanët bullgarë e kanë akuzuar Peevskin edhe për lëkundje të vazhdueshme kur ka qenë fjala për reforma.
Në kohën e krijimit të një koalicioni mes dy partive më të mëdha politike në Bullgari, në atë kohë, GERB dhe PP-DB, që kanë udhëhequr shtetin më 2023-2024, të dyja partitë janë zotuar për ndihmë ushtarake për Ukrainën, mbështetje ndaj euros, dhe anëtarësim të plotë të Bullgarisë në zonën Schengen.
Megjithatë, PP-DB, e prirë për më shumë reforma, ka propozuar edhe masa që do të zvogëlonin fuqinë e Prokurorit të Përgjithshëm dhe zhdukjen e ndikimit rus në shërbimet e sigurisë.
Kur GERB i ka tërhequr këmbët prej reformave të propozuara, koalicioni qeveritar është shpërbërë në mars.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në prill, Nikolay Denkov, njëri prej kryeministrave me rotacion në Qeveri, e ka fajësuar Peevskin për rritje të presionit ndaj GERB-it dhe liderit të asaj partie, Boyko Borisov, që të prishet koalicioni qeverisës.
Peevski është frikësuar prej reformave, ka thënë Denkov, dhe ka arritur të ketë ndikim te Borisovi.
“E kam parë me sytë e mi… ne shkuam në takim dhe Peevski ishte ulur afër Borisovit”, ka thënë ai.
“Në fakt, gjatë atyre muajve, 80 për qind të kohës, bisedat janë zhvilluar me Peevskin dhe jo Borisovin”.
Pas zgjedhjeve të fundit në qershor, Borisov është distancuar prej Peevskit.
Partia e tij, GERB, i ka fituar zgjedhjet dhe DPS ka dalë e dyta, dy partitë do të mund të formonin qeverinë, me mbështetje të vogël të nevojshme nga disa deputetë të pavarur.
Mirëpo, Borisov ka thënë disa herë se nuk dëshiron të qeverisë vetëm me DPS-në dhe Peevskin.
Ndasi të thella partiake
Janë të shumë ata që zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të caktuara për tetor, i shohin si pikë kthese, për shkak të ndasive të thella partiake brenda DPS-së së Peevskit.
Pasi është ngjitur në krye të partisë, në fillim të vitit 2024, Peevski ka nisur të largojë prej partisë, anëtarë që janë të afërt me Akhmed Doganin, ish-liderin për kohë të gjatë të partisë DPS.
Ky fraksion tani është duke luftuar me të, dhe vetë Dogan – lider nderi i partisë – po kërkojnë dorëheqjen e Peevskit.
Si rezultat i ndasive brenda partisë, analistët kanë thënë se Peevski mund të dështojë që të sigurojë ulëse në Parliament, ose do të ketë numër shumë të vogël të ligjvënësve afër vetes.
Parti tjera kanë diskutuar mundësinë e izolimit të Peevkit në zgjedhjet e ardhshme të tetorit.
“Ne duhet të pranojmë se do të punojmë me ata që janë kundër Peevskit në DPS”, ka thënë Ivanov prej koalicionit PP-DP.
“Më në fund duhet të kemi strategji të mençur, kur krijohen mundësi, dhe të heqim qafe korrupsionin në shtet”.
Bullgaria po përballet me gjithë këto zhvillime në kohën kur është izoluar edhe në Bashkimin Evropian dhe po humb mbështetjen në bllokun evropian.
Bullgaria është vendi me shkallën më të lartë të varfërisë dhe korrupsionit në BE.
Shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, është në pritje të Bullgarisë që të propozojë një komisionar evropian, mirëpo situata politike ka nënkuptuar që Sofja të mos ketë marrë ende një vendim.
Ndonëse BE-ja e ka pranuar një plan ekonomik në vlerë të 6 miliardë eurove, Bullgaria ka pak mundësi që t’i shohë me sy ato mjete, derisa t’i përfundojë reformat e kërkuara prej BE-së, përfshirë marrjen e masave kundër korrupsionit.
Situata politike brenda Bullgarisë mund ta ketë dëmtuar edhe sigurinë rajonale.
Sofja nuk është e përfshirë në mënyrë aktive në diskutimet për siguri rajonale, ka thënë Matthew Boyce, hulumtues i lartë në Institutin Hudson, me bazë në Uashington, i cili ka shërbyer një kohë si zëvendësasistent në zyrën e Sekretarit amerikan të Shtetit.
Vessela Tcherneva, zëvendësdrejtoreshë e Komitetit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, ka paralajmëruar që “nëse shteti nuk arrin të dalë prej kësaj bllokade politike”, atëherë kjo situatë “do të rrisë mundësinë që shtetet sikurse Rusia, të kenë ndikim në një vend anëtar të BE-së dhe NATO-s”./REL