Rruga e Mëndafshit lidhte dikur Lindjen dhe Perëndimin. Por sot, me anë të teknologjisë, Kina po synon që të shtrijë influencën e saj në të gjithë botën.
Si një komponent i Iniciativës “Belt and Road”, Rruga Digjitale e Mëndafshit u ka mundësuar gjigantëve kinezë të teknologjisë që të bëhen liderë në fusha si 5G apo Inteligjenca Artificiale.
Planet e saj të influencës nëpërmjet teknologjisë, Kina i realizon kryesisht me anë të Huawei-t. Gjiganti i teknologjisë mbetet lider në teknologjinë 5G, me një numër të konsiderueshëm patentash dhe me një rol kritik në implementimin e teknologjisë së gjeneratës së pestë për rrjetet celulare.
Ishte pikërisht Huawei, kompania që pritej të asistonte Shqipërinë në rrugën e saj të kalimit nga gjenerata e katërt e teknologjisë së rrjeteve celulare, në atë të pestë, por precedentët dhe akuzat për spiunazh u bënë shkak që bashkëpunimi të mos ndodhte.
Kështu, në 2020 Shqipëria u gjend mes dy zgjedhjeve: të vijonte implementimin e teknologjisë me një kompani që nuk cilësohej si e sigurt nga aleatët, por që ofronte pajisje me çmim të arsyeshëm, apo të radhitej me partnerin e saj kryesor ndërkombëtar, SHBA i cili bënte thirrje për kujdes të shtuar ndaj infrastrukturave kritike.
Administrata e atëhershme Trump mori një iniciativë për “rrjet të pastër” të quajtur “The Clean Netowrk Initiative”, në kuadër të përpjekjeve për të siguruar infrastrukturën e telekomunikacionit.
Synimi kryesor ishte që SHBA dhe aleatët e saj të përdornin teknologji nga shitës që mund të besoheshin, duke përjashtuar kështu kompani si Huawei, nga rrjetet 5G. Vendi ynë iu bashkua kësaj iniciative në tetor, 2020.
Shqipëria në “mes” të planeve më të gjëra të SHBA-së dhe Kinës në rajon
“Huawei: S’do të jemi me 5G në Shqipëri”, “Shqipëria i mbyll dyert Huawei-t për rrjetet 5G”, “Shqipëria i bindet SHBA për 5G, nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit për sigurinë”.
Këta janë vetëm disa nga titujt që në vitin 2019 njoftonin miratimin e një memorandumi mirëkuptimi mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara për sigurinë 4G dhe atë 5G.
“Jemi krenarë që shohim Shqipërinë dhe vende të tjera t’i bashkohen The Clean Network për të mbrojtur rrjetet e tyre 5G nga shitësit e pabesueshëm. Vendim i rëndësishëm strategjik për të mbrojtur infrastrukturat kritike,” shkroi ambasadorja e atëhershme amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, në një postim në Twitter.
Iniciativa për Rrjet të Pastër u njoftua nga Sekretari i atëhershëm amerikan për Shtetin, Mike Pompeo dhe synimi i saj kryesor, ishte të adresonte “kërcënimin afatgjatë të sigurisë së të dhënave, të drejtave të njeriut…nga aktorë autoritarë keqdashës.”
Por sa qëndrojnë akuzat për spiunazh ndaj kompanisë kineze të teknologjisë dhe si mund të rrezikohet siguria kombëtare e një vendi nga teknologjia 5G?
Ekspertët thonë se nuk është 5G ajo që në thelb sjell rrezikun, por se rreziku mund të vijë nëse teknologjia që mundëson 5G menaxhohet nga duart e gabuara.
“Kina ka disa faktorë në nivel përgjimi ndërkombëtar që e ka treguar se nuk është shtet i besueshëm. Episodi më i fundit i Kinës ka qenë që ajo ka investuar në ndërtimin e gjithë parlamentit të Afrikës së Jugut. Ishte mbushur, çdo sallë, çdo ambient me përgjuesit e vet, dhe të gjitha bisedat, tekstet e kompjuterëve transferoheshin natën në qendrat e të dhënave të Huawei-t,” shpjegon Musa Hoxha, inxhinier telekomunikacioni.
Precedentë të tillë kanë bërë gjiganti kinez i teknologjisë të vendoset në listën e zezë të SHBA-së.
“Kjo të bën të mendosh që çdo produkt kinez mund të ketë një algoritëm përgjimi, ose një kleçkë që të dhënat të transferohen. Plus, nuk është me certifikata sigurta të besueshme nga disa shtete, si SHBA, Europa.”
Siç shprehet Hoxha, në momentin që një prodhues ndërton softuera, mund të krijojë edhe algoritme të tilla që bëjnë të mundur që një kopje e të dhënave të transferohet në një qendër të dytë të dhënash apo të tretë.
“Kjo do një ekspertizë të lartë e periudhë të gjatë që të arrish ta kapësh. Kur përdor një produkt që nuk është i besueshëm për shtetin tënd, kontinentin tënd, automatikisht ai produkt është me hije dyshimi nga mbrapa,” shton ai.
Nga ana tjetër, Redion Qirjazi, ekspert i çështjeve të sigurisë ndërkombëtare mendon se Shqipëria do të duhej t’i shfrytëzonte më mirë rastet kur dy superfuqi siç mund të jenë SHBA dhe Kina kthejnë sytë nga rajoni dhe, jo thjesht të binden verbërisht.
“Shqipëria ka bërë një punë shumë të dobët për të kapitalizuar këtë dashuri të tepruar që shfaqim ndaj aleatëve tanë perëndimorë, është një dashuri e pakthyeshme.. Jemi si ai partneri i dëshpëruar që gjithë kohës shfaq dashuri dhe vdesim të duhemi…Vendet e tjera të rajonit, janë duke luajtur me disa porta dhe vetëm kanë përfituar,” shton ai.
Megjithatë, Qirjazi thekson se SHBA nuk ka qëllime negative ndaj Shqipërisë, por se prioriteti kryesor i tyre është përmbajtja e Kinës dhe e zgjerimit të influencës së saj.
“Shqipëria është një pikë uji në oqean kur vjen puna të interesat e SHBA…”
Huawei njihet për ofrimin e pajisjeve teknologjike për telekomunikacionin me kosto të ulëta, dhe aso kohe thirrjet e Ambasadës Amerikanë për kujdes të shtuar ndaj “shitësve të pabesuar” u interpretuan nga disa si një ndërhyrje për shkaqe konkurrence.
Por selia diplomatike në Tiranë reagoi menjëherë duke sqaruar se qasja e saj nuk lidhej me konkurrencën që vjen nga Kina “por me çështje të sigurisë që janë mjaft të rëndësishme dhe mjaft të mprehta.”
“E Ngarkuara me Punë, a.i. Leyla Moses-Ones e tha këtë javën e kaluar në Konferencën “Politika e ShBA. në Ballkanin Perëndimor”: “Shqipëria tashmë po bën gjënë e duhur duke ushtruar vigjilencë në mbrojtje të rrjeteve të saj. Edhe një herë, disa gjëra në Shqipëri thjesht nuk janë për shitje.”
Huawei vijon të mbetet një nga prodhuesit më të mëdhenj të pajisjeve të telekomunikacionit dhe elektronikës së konsumit në nivel global. Por kompania njihet po ashtu për faktin që i ofron produktet me çmime të përballueshme.
Megjithatë, inxhinieri i telekomunikacionit Musa Hoxha thotë se çmimet e ulëta janë ndër të tjera, politikë e gjigantit kinez për t’u futur më lehtë në vende me rëndësi gjeostrategjike siç mund të jetë Ballkani Perëndimor, e për të arritur më pas synimet afatgjata të vendit amë.
Logjika pas investimeve të Kinës në Ballkanin Perëndimor
Viti 2012 dhe 2013 kanë shënjuar angazhimin e Kinës në Ballkan. Në 2012 Pekini inauguroi mekanizmin “16+1” mes Kinës dhe 16 vendeve të Evropës Qendrore dhe asaj Lindore, me anë të së cilës, synoheshin investimet dhe zhvillimin e marrëdhënieve më të ngushta politike dhe ekonomike me rajonin.
Më pas, në 2013, presidenti kinez Xi Jinping njoftoi Iniciativën “Një brez, Një Rrugë”, një investim madhor në infrastrukturë dhe ndërlidhje. Të dyja këto nisma, sipas ekspertëve, Kina i ndërmori në kurriz të krizës globale të 2008 duke përdorur nevojën e Ballkanit për investime pas rënies së financimeve nga Bashkimi Europian.
“Strategjikisht unë mendoj se Kina ka dy interesa kryesore: E para të ketë një rrugë më të lehtë në afrimin e produkteve të saj drejt Europës dhe e dyta të ketë këmbën në derë për në Europë. Me këtë të dytën kuptojmë më shumë, mundësinë e Kinës për të qenë pjesë e tregut europian në momentin kur vendet e Ballkanit Perëndimor të zgjerohen, të jenë pjesë e BE,” shprehet Qiriazi.
Prof.Asoc.Dr. Gjon Boriçi, studiues i Institutit të Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike thotë se Kina ka nevojë për standardin ekonomik të Perëndimit, në mënyrë që të vazhdojë të jetë një shtet i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Po të shikoni, presidenti kinez vazhdon të bëjë ture në botën perëndimore, ka qenë në SHBA, Gjermani, Francë…Çfarë do të thotë kjo? Kinës i intereson shumë tregu perëndimor. Pse? Është tregu më i pasur në botë, është tregu më i stabilizuar në botë…Vërtet Kina ka një treg të brendshëm shumë të madh, dhe rrethohet me shtete kufitare që kanë një popullsi shumë të madhe, por kanë edhe një defekt shumë të madh. Janë vërtetë popullsi shumë të mëdha, por nuk kanë standard ekonomik.”
Në kuadër të strategjisë së saj për t’iu afruar sa më shumë portës së Bashkimit Europian, Kina ka investuar edhe në teknologji. Synimet e saj për investime në pajisjen e shteteve të rajonit me teknologjinë për mundësimin e 5G u ndalën disi, por projekte të tjera janë zbatuar në vende si Serbia me të cilën Pekini vijon të ruajë lidhje të ngushta.
Në turin e tij në Europë këtë pranverë, Xi Jinping ndaloi pikërisht në Beograd ku u prit me tapet të kuq e më këngë e valle.
Ndalesën e tij në Beograd e Hungari analistët ndërkombëtarë e përshkruan si një lëvizje “më tej drejt synim të tij madhor- ndryshimin e rendit botëror që ai e sheh si të dominuar nga SHBA.
Me nënshkrimin e një deklarate të përbashkët, presidenti serb Aleksandar Vuçiç u bë lideri i parë evropian që u zotua t’i bashkohej Kinës në ndërtimin e një “komuniteti me një të ardhme të përbashkët”.
Më herët, Huawei ka bashkëpunuar me qeverinë e vendit për të zhvilluar ato që quhen “qytete inteligjente” në Beograd, Novi Sad dhe në Nish. Po ashtu, Beogradi u inaugurua si “qytet i sigurt” pas instalimit të 1,000 kamerave të vëzhgimit në 800 lokacione rreth e qark qytetit. Siguria e këtyre projekteve është parë po ashtu me hije të mëdha dyshimi.
Projekte të tjera me fokus në Inteligjencën Artificiale janë zhvilluar në Kroaci e Bullgari. Por kur vjen puna te infrastruktura kritike, siç mund të jenë ato të rrjetit 5G, thirrjen e SHBA-së nuk e dëgjoi vetëm Shqipëria.
Maqedonia e Veriut, në vitin 2021 amendoi Ligjin për Komunikimet Elektronike, më anë të të cilit përjashtoheshin kompanitë kineze, duke bërë që Huawei nga ana tjetër të anulonte një projekt madhor të edukimit elektronik si kundërpërgjigje.
Çështjen e sigurisë së rrjeteve 5G, SHBA e përfshiu edhe në atë që njihet si marrëveshja e Uashingtonit. Në dokumentet e vendosura përballë kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit dhe presidentit serb Vuçiç, një prej neneve të marrëveshjes kërkonte nga palët që të ndalonin “përdorimin e pajisjeve 5G, të furnizuara nga shitës të pabesueshëm, dhe urdhëronte po ashtu tërheqjen e kësaj teknologjie.”
Kosova i qëndroi marrëveshjes dhe një muaj pas firmosjes së marrëveshjes, kryeministri Hoti priti në takim përfaqësuesit e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për ndalimin e pajisjeve që prodhoheshin nga kinezët.
“Kosova do të ndalojë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku mund të ketë pajisje të tilla, institucionet përkatëse të vendit do të angazhohen për heqjen e tyre,” deklaroi ndër të tjera kryeministri i Kosovës.
Beogradi nga ana tjetër, e shtyu procesin e implementimit të teknologjisë për 5G.
E influencuar nga SHBA, edhe Rumania kaloi një ligj në 2021, (të frymëzuar nga Clean Network), me anë të të cilit përcaktoheshin kërkesat për rrjetin 5G në mënyrë të tillë, që pajisjet e Huawei të mbeteshin jashtë tregut.
Huawei nga ana tjetër i ka mohuar gjithnjë akuzat. Në një intervistë për mediat, themeluesi i saj, Ren Zhengfei deklaroi se Kinën e do shumë dhe Partinë Komuniste e mbështet, por shtoi se kjo e fundit nuk i kishte kërkuar asnjë here që të ndante “informacion të papërshtatshëm” rreth partnerëve të Huawei.
“Unë personalisht nuk do t’i dëmtoja kurrë interesat e klientëve të mi apo interesat e mia, dhe kompania ime nuk do ta pranonte asnjëherë një kërkesë të tillë,” u tha ai gazetarëve në 2019.
Akuzat ndaj Huawei vijuan edhe përgjatë administratës Biden. Uashingtoni ndaloi aprovimin e pajisjeve të reja të telekomunikacionit nga Huawei Technologies dhe ZTE të Kinës me pretendimin se ato paraqesin “një rrezik të papranueshëm” për sigurinë kombëtare të SHBA.
Në rastin e Shqipërisë, Huawei Albania do të njoftonte pas akuzave nga amerikanët, se kompania nuk kishte bërë asnjë pilotim apo testim 5G në Shqipëri deri më atëherë duke shtuar se nuk kishte ndonjë kontratë apo angazhim për ta zhvilluar 5G në vendin tonë.
“Pasi klientët e Huawei blejnë pajisjet, ata kontrollojnë të gjitha aspektet e hyrjes në rrjet, përfshirë sigurinë e sistemeve të tij dhe të dhënat e përdoruesit.”
Por, çfarë ndodhi me implementimin e rrjetit 5G në Shqipëri?
“Në Shqipëri, dy operatorët e telefonisë celulare kanë investuar në teknologji 5G, pra praktikisht quhen 5G Ready, por si sinjal nuk është i lançuar për publikuan, pasi mungon certifikimi nga AKEP. Pra, duhet të certifikohen, pastaj të jenë funksionale dhe të kemi gjeneratën e pestë,” shpjegon Hoxha.
Ai shton se për momentin në Shqipëri janë në përdorim disa asete të Huawei të cilat funksionojnë në kompani telefonike.
“Ato janë, pajisje ndërlidhëse, që quhen Radio Link Data, që mundësojnë lidhjen e siteve me data-centerin e kompanisë telefonike. Edhe ato janë në zëvendësim e sipër me disa brande të tjera europiane apo amerikane.”
Këto pajisje, siç shpjegon ai, janë të sigurta, pasi gjasat që të ndërhyhet përmes tyre janë thuajse zero.
Sipas Planit Kombëtar për adoptimin e teknologjisë 5G, gjenerata e pestë e teknologjisë për rrjetet celulare pritet të jetë gati në 2025.
Objektivat janë që rrjetet 5G të jenë të disponueshmë në të paktën një qytet të madh, korridoret kryesore të transportit, zonat strategjike ekonomike, institucionet shëndetësore dhe arsimore dhe zonat e hapura publike.
Ndërkohë, përpjekjet për të adoptuar teknologjinë 5G vazhdojnë, me sfida të vazhdueshme për të gjetur balancën mes përfitimeve ekonomike dhe sigurisë kombëtare.
“Problemi nuk është që shtete si Amerika apo shtete individuale të BE tentojnë të avancojnë për interesin e tyre, problemi është se ne nuk mendojmë me kokën tonë si shtet dhe ne, në momentin kur kërkesa të tilla na shfaqen, të dimë t’i vlerësojmë, t’i analizojmë…dhe të kuptojmë çfarë mund të marrim si shtet ne, dhe çfarë mund të negociojmë…”
Ekspertët bien dakord se qëndrimet e mbajtura nga Shqipëria, por edhe shtete te tjera të rajonit ndaj teknologjisë kineze, rrjedhin nga një kombinim faktorësh, qofshin ato gjeopolitike, ekonomike por edhe teknologjike.