Rrjedhja e të dhënave nga brenda SPAK/ Gjiknuri: Shqetësuese, kompromenton punën e prokurorëve

Deputeti socialist Damian Gjiknuri komentoi në “A2 CNN”, sulmin kibernetik që çoi në vjedhjen e e-maileve të tre prokurorëve të SPAK dhe ka tronditur sistemin e drejtësisë në vend.

Sistemi i IT në Prokurorinë e Posaçme u hakerua pak javë më parë, dhe nga kompjuterët e tre prokurorëve të SPAK-ut dyshohet se janë marrë disa dosje hetimore.

Për këtë ngjarje SPAK ka arrestuar si të dyshuar Zambak Gjonin, i cili ka mbajtur më parë detyrën e drejtorit të paraburgimit në Vlorë dhe Arnold Rrokajn, një ish-punonjës IMT.

Sakaq, Gjiknuri e vlerëson hakerimin e SPAK si një ngjarje tepër shqetësuese, pasi sipas tij shqiptarët mbështesin drejtësinë e pavarur dhe vjedhja e të dhënave sensitive mund të kompromentojë punën e prokurorëve të posaçëm.

“Për mua është shqetësuese që ka grupe dhe persona të caktuar që duan të përfitojnë nga të dhëna sensitive që i administron SPAK-u. Ky duhet të jetë shqetësimi i shoqërisë shqiptare, ku edhe unë si deputet dhe qytetar ndjej shqetësim sepse kërkoj që organet e drejtësisë të jenë të pavarura, por edhe të sigurta, me qëllim që të mos ndikohen nga hetimet e tyre të pavarura. Kështu që ky është shqetësim i përgjithshëm si qytetar, por edhe si politikan dhe shpresoj që Prokuroria t’i shkojë deri në fund dhe ti gjej ë ndëshkojë këta keqbërës, të cilët mbi të gjitha synojnë diskretitimin e organeve të reja të drejtësisë”, deklaroi Gjiknuri në “Çdo kënd” me Merita Haklaj, në A2 CNN.

I pyetur mbi të shkuarën dhe hetime të mundshme përkundrejt tij nga ana e Prokurorisë së Posaçme, Gjiknuri tha: “Unë s’kam ndonjë problem me drejtësinë, se po ta kisha do ta thoja.”

“Natyrshëm se edhe unë si shumë të tjerë jam thirrur për të dhënë dëshmi si dëshmitar, por qoftë edhe hetuar, të themi investiguar për hetime paraprake, për rolin tim si dëshmitar për ngjarje, të cilat i kam mësuar për shkak të detyrës. Unë kam qenë në Prokurori, kam dhënë shpjegime për to dhe kam thënë që vajtja në Prokurori nuk është blasfemi, është një gjë normale që çdo zyrtar publik sa herë që thërritet duhet të shkojë dhe të japë shpjegime për punën që ka kryer dhe çështjet të cilat i interesojnë hetimit, brenda standardeve ligjore. Personalisht nuk jam në dijeni të qenies në hetim. Hetimi paraprak nuk do të thotë se je person nën hetim”, sqaroi më tej ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë në “Çdo kënd” me Merita Haklaj, në A2 CNN.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com