12 marsi është Dita e 46-të e Mbjelljes së Pemëve e Kinës. Sipas “Buletinit të statusit të gjelbërimit të tokës së Kinës”, në vitin 2023 në Kinë u mbollën afro 40 mijë kilometra katrorë me pemë, u përmirësuan mbi 43 mijë kilometra katrorë kullota dhe u trajtuan mbi 19 mijë kilometra katrorë tokë ranore e shkëmbore.
Drejtori i Degës së Mbrojtjes Ekologjike pranë Drejtorisë së Pyjeve dhe të Kullotave, Zhang Wei, u shpreh se në mbarë Kinën u krye gjelbërimi i një sipërfaqeje mbi 1.12 milionë kilometra katrorë dhe u mbollën mbi 209.3 mijë kilometra katrorë pyje artificiale, duke u renditur në vendin e parë në botë, shkruan CMG.
Liu Shirong, anëtar i Akademisë Kineze të Inxhinierisë, u shpreh: “Kina ka kontribuar për një të katërtën e gjelbërimit të botës në 20 vitet e fundit, dhe kjo ka ardhur kryesisht nga pyllëzimi. Domethënë, ne kemi kryer gjelbërimin e tokës në mbarë Kinën, në të gjitha rastet kur kjo mund të realizohet, qoftë në zonat ranore, në zonat e thata të Veriperëndimit apo në disa zona lindore. Gjelbërimi po shtohet dhe ky kontribut është shumë domethënës.”
Në vitin 2023, Kina filloi zyrtarisht Programin e Brezit Mbrojtës Pyjor të “Tre Verive”, duke planifikuar 68 projekte të vogla të rëndësishme. Deri tani, ky program po zhvillohet me sukses dhe sipërfaqja e mbjellë me pyje dhe kullota ka arritur në 12 mijë kilometra katrorë.