Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të tretë 2023, është 71.486 lekë, duke u rritur me 16 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, sipas të dhënave të fundit të INSTAT. Por rritja ka vijuar edhe në tremujorin e fundit të këtij viti dhe do të vazhdojë përgjatë vitit 2024 derisa paga mesatare të shkojë në 900 euro.
Ndërkohë që presidentit, kryeministrit, ministrave, deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit paga u është dyfishuar falë reformës së pagave në Administratën Publike. Rritja e njëshme e pagave të larta, si dhe shpërblimet apo dietat po kontribuojnë ndjeshëm në arritjen e objektivit të qeverisë: që është paga mesatare: 900 euro.
E ndërsa po rriten pagat në administratën publike pa marrë në konsideratë inflacionin dhe taksat që mund të rëndojnë mbi biznese apo qytetarë që ushtrojnë aktivitet të lirë ekonomik, ajo që vihet re, ashtu siç ishte paralajmëruar më herët në fakt, është se po krijohej një hendek pagash midis sektorit privat dhe atij publik. Rritjes së pagave në sektorin publik nuk i është përgjigjur sektori privat, ndonëse punonjësit e këtij sektori mund të shpenzojnë dyfishin e kohës vjetore në punë dhe mund të kenë një produktivitet disa herë më të lartë se punonjësit e administratës shtetërore. Në këto kushte, demoralizimi i tyre mund të çojë në një fluks tjetër emigracioni. Mungesa e fuqisë punëtore do të shoqërohet me ulje produktiviteti dhe të ardhurash dhe në këto kushte rrezikon t’i fusë në telashe edhe më të mëdha bizneset. Në një periudhë afatgjatë nëse situata nuk ndryshon rritja joreale dhe e pastudiuar e pagave të premtuara mund të shoqërohet me pasoja të rëndë për tërë ekonominë.
Paga mesatare nga 52.815 që ishte në Tremujorin e Tretë të vitit 2020, sipas të dhënave të Tremujorit të Tretë të vitit 2023 të publikuara nga INSTAT, ka shkuar në 71.486 lekë. Kurse paga minimale nga 26 mijë lekë që ishte në Tremujorin e Tretë 2020 shkoi në 40.000 në Tremujorin e Tretë 2023. Ndërkohë, rritja e çmimeve, nga ana tjetër, për shumë qytetarë dhe kategori të caktuara mund të ketë gërryer edhe më tepër çdo rritje të pagave apo të ardhurave.
Siç tregojnë të dhënat zyrtare bujqësia dhe ndërtimi, dy sektorët që i japin produktin më të lartë ekonomisë tonë, kanë edhe pagat më të ulëta në tregun e punës, madje duke mbetur shumë larg objektivit të qeverisë, për t’a çuar pagat mesatare në 900 euro.
Gjithsesi, gjatë tremujorit të tretë 2023, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacionit.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë 2023 paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, ka rritjen më të madhe prej 18,6 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit prej 11,4 %.
Shpërblimet dhe shtesat mbi pagë janë një pjesë e pagës mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, të cilat në fund të çdo gjashtëmujori rrisin ndjeshëm pagën mesatare mujore bruto.
Gjatë tremujorit të tretë 2023, grup-profesionet e “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar. /Liberale.al/