Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka treguar në një intervistë për Euronews Albania disa kujtime nga koha e luftës në Kosovës, kur ai ishte ministër i rendit.
Koçi u shpreh se një herë i është dashur të shkruajë vetë një komunikatë në emër të UÇK, me lejen e tyre, për të qetësuar një protestë në Tiranë pas një sulmi ndaj ambasadës shqiptare në Beograd.
“Më është dashur një herë që të bëja vetë një komunikatë të UÇK. Duhet ta bëja unë, ju kujtohet kur në Beograd u sulmua ambasada jonë, gjatë kohës që zhvillohej lufta dhe në Shqipëri ishin me mijëra shqiptarë të Kosovës dhe u njoftua një protestë te ambasada jugosllave. Kam folur me shtabin politik të UÇK dhe u thashë ju lutem transmetoni një komunikatë ku të kërkoni që të mos ketë akte dhune dhe ata më thanë bëje vetë një komunikatë dhe ajo komunikatë ka dalë në fakt nga faksi i Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe është transmetuar në të gjitha TV gjithë ditën dhe ajo protestë ka shkuar në mënyrë të shkëlqyer”, tregoi Koçi.