Ish-kryeministri Sali Berisha ka marrë fjalën e tij para protestuesve opozitarë para Kryesisë së Kuvendit ku falënderoi pjesëmarrësit në protestë, ndërsa i cilësoi si ata luftëtarë të lirisë.
“Sot shënohet ajo datë historike që shënuan studentët liberatorë më 8 dhjetor të vitit 90. Sot me këtë miting, atë ngjarje historike që shënuan një grusht i vogël demokratësh dhe demokrate që u mblodhën te selia e tyre në protestë për të dëshmuar se ata ishin të gjallë dhe të pamposhtur. Sot nuk jemi 30 as 50, por qindra herë më shumë. Sot ne jemi në një mision të njëjtë.
Në shtator të vitit 97, PD-në, në Shqipëri dhe në botë, më të shumtit e menduan se ajo përfundoi në arkivat, kalendat e historisë. Por ata u gabuan. Asokohe, njëlloj si tani, një prokuror politik, xhelat i sigurimit të Shtetit, akuzoi Berishnë për krime kundër njerëzimit dhe parlamentit i hoqi imunitetin, 8 muaj para se Haga të akuzonte Millosheviçin.
Asokohe menduan se erdhi revanshi i atij sistemi. Ne e nisëm 30 në oborrin e selisë dhe më pas u bëmë 30 mijë,” tha Berisha ndër të tjera.