Ringritja e paprecedente e të djathtës ekstreme, rikthehen hijet e fashizmit në tokën evropiane

Kur Britania e Madhe votoi pro një referendumi, i cili synonte nxjerrjen e vendit nga Bashkimi Evropian, ishte viti i largët 2016.

Vetëm sytë më të imtë të studimit politik e kishin kuptuar se kjo nuk ishte rastësi. Kishte të bënte me ngritjen e një fryme të frikshme nacionalizmi ekstrem që kishte filluar në ishull, por ishte yshtur brenda kufijve kontinentalë evropianë.

Asokohe pakkush mund të mendonte se çfarë do të pasonte, me një fllad të lehtë fashizmi e nazizmi që po kthehej në rutinën normalizuese të politikanëve të caktuar, të cilët sot shkruajnë për mirë ose për keq, fatin e politikës evropiane.

Pishtar i kësaj lëvizjeje u bë një politikane italiane e spektrit të djathtë ekstrem.

Në moshën 45-vjeçare, në tetor të vitit 2022, Giorgia Meloni vulosi frikën e të shumtëve dhe vizionin e të paktëve. E djathta ekstreme ka filluar të shkruajë vijën politike evropiane dhe këtë po e bën hap pas hapi, shtet pas shteti, duke kursyer rrugës pak.

Shenjat e para

Një autoritarizëm i tillë ishte vënë re me kalimin e mandateve të Viktor Orbanit në krye të Hungarisë. Qëndrimi i tij i shpeshtë pro-rus dhe kryeneçësia në ndëshkimet që Evropa po i jepte Vladimir Putinit, së bashku me bllokimet e vendosura nga Orban, bënë që ai të kthehej në delen e zezë të BE-së.

Por ai nuk është më vetëm…

Në Francë në fakt, duhet të ishte kuptuar prej kohësh se situata do të kthehej e tillë. Superfuqia evropiane dha shenja se një fashiste de jure e de facto si Marine LePen, do të vijonte trashëgiminë e babait të saj në partinë-familje Ressemblement National, Jean-Marie LePen, kur në vitin 2017 arriti të shkonte në balotazhin presidencial përballë Emmanuel Macron.

Ky i fundit përfundoi duke fituar thjeshtë balotazhin e atij viti, pasi u mblodhën të gjithë kundër LePen, për të mos e lejuar atë të bëhej presidente.

Skenari u përsërit në vitin 2022, por këtë herë me një LePen më të fortë. Ajo sërish u mund nga Macron, por ndryshorja ishte shumë më e ngushtë se gjatë betejës së parë.

Nuk është kjo pjesa me rëndësi gjithsesi, por fakti se arritjet personale të LePen, reflektonin në fakt ngritjen e frikshme të Rassemblement National në Francë.

Ajo e arriti këtë duke lënë mënjanë egon personale dhe duke ia besuar fatin politik të partisë së ekstremit të djathtë një zëri shumë të ri në moshë, Jordan Bardella.

Ky i fundit i dha shtytjen që i duhej partisë për të hedhur poshtë zërat e neo-fashizmit që e rrethonin e për të kamufluar në një imazh të ri, atë që në fakt RN nuk ishte – një parti e djathtë ekstreme, por me qëndrime të moderuara në çështjet thelbësore.

Kjo bëri që kuotat e RN-së të rriteshin në stratosferë dhe ta shpallnin partinë e parë në zgjedhjet parlamentare në vitin 2024.

LePen ka arritur të marrë një shumicë në Asamble si parti e vetme, pa përfshirë në ekuacion koalicionet. Arriti të çojë në shkarkimin e një kryeministri të vendosur nga Macron, Michel Barnier. Bëri frontin e majtë të mblidhej si i plotë në zgjedhjet e fundit, me qëllimin e vetëm për të mposhtur LePen dhe për të mos e lejuar të fitojë më shumë terren seç ka.

E vetmja dritë në politikën momentale franceze është fakti se populli i dëgjoi lëngimet e një shkatërrimi të mundshëm që mund të vinte dhe në fund, vendosi të mos i japë pushtetin LePen-it. Por, edhe për sa?

Më e pushtetshmja e Evropës

Giorgia Meloni nuk është thjesht kryeministre e një prej superfuqive evropiane. Është një prej personave më të pushtetshëm në Evropë – më e pushtetshmja nëse i referohemi titujve që ka përcaktuar e përditshmja Politico në vlerësimet për vitin që u la pas.

Meloni është në fakt mishërimi i populistes sovraniste par excellence. Ajo ka qartësisht shumicën si parti me Fratelli d’Italia në Itali. Udhëheq falë një koalicioni të qëndrueshëm. Po harton politikat që dëshiron dhe pengesat që has janë të shumta, por jo gjithnjë efektive ndaj saj.

Buja e planit të emigrantëve për Shqipërinë i tejkaloi parametrat e parashikuar të përfoljes. Meloni u kthye në një pikë referimi për planin e saj, ku sytë e një kontinenti që vuan emigracionin masiv të jashtëligjshëm ishin të gjithë për nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje, që për të gjithë ka dështuar, përveçse për Melonin dhe mbështetësit e saj.

Modeli italo-shqiptar u vu në radarin e Bashkimit Evropian dhe po shqyrtohet edhe nga Britania e Madhe për mundësitë e aplikimit.

Ajo çfarë vlen më shumë, është fakti se Meloni ka fituar shumë në rrafshin e Parlamentit Evropian. Së bashku me LePen, ajo mund të quhet edhe fituesja e madhe e zgjedhjeve evropiane, që u zhvilluan gjatë 2024-ës brenda kufijve politikë të Unionit.

Me të vërtetë nuk arritën të merrnin shumicën dhe e djathta liberale po vijon të jetë e qëndrueshme në vendin e saj si dominuese në PE, por Meloni dhe LePen kanë pasur një rritje të stërmadhe dhe me kuotat e ngritura, rriten edhe benefitet brenda strukturave.

Gardhi i Berlinit

Në Berlin nuk ka më një mur ndarës prej dekadash. Por tashmë ka një gardh goxha të ulët dhe nëse ai gardh kapërcehet nga Alternativa për Gjermaninë, ka punë për të bërë.

Gjermania është vendi, i cili ndoshta duhet ta kishte kapilare luftën për çrrënjosjen e neo-nazizmit. Nuk ka ndodhur. Jo kaq. Bumerangu është i frikshëm.

AfD-ja po gëzon në Berlin dhe më gjerë një rritje që as do e kishte ëndërruar në vegimin më të ethshëm gjatë dekadës së shkuar.

Alice Weidel, një 45-vjeçare, e cila drejton partinë e esktremit të djathtë në Gjermani, është bërë figurë kryesore e këtij rikthimi dhe jo për nga shtati, e as për nga ngjyra e flokëve apo tiparet, ajo duket si një Giorgia Meloni gjermane gati për të rrokur pushtetin e për të materializuar çfarë përmbledh me një retorikë të frikshme anti-emigrantëve.

Gjermanët duken të lodhur nga politika e vjetër gjithëpranuese dhe tentativat e njëpasnjëshme nga kancelari Olaf Scholz për të sjellë qetësi dhe për të bërë qytetarët të reflektojnë se në fakt emigrantët janë në zemër të ngritjes ekonomike të vendit, nuk kanë funksionuar aq sa do të duhej.

Për më keq, precedenti Elon Musk po afrohet në skenën gjermane, me sinjale të qarta në platformën e tij X, ku shpërndan lirisht publikime nga zyrtarë të AfD-së. Për më tepër, edhe përmes një editoriali në gjermanen Welt, i cila shkaktoi trazira të mëdha, deri te dorëheqja e kryeredaktores së gazetës.

Musk e vërtetoi me Trump se fuqia e fjalës së tij mund të jetë shënjuese në zgjedhje dhe faktorët e tjerë politikë po i kthehen ashpër ndërhyrjes së tij të qartë pro ekstremit të djathtë.

I njohur tashmë si një mik shumë i afërt i Melonit, tentakulat e Musk mund të shtrihen edhe në Berlin në rast se ndonjë tronditje e themeleve politike vjen në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit.

Në sondazhe, CDU-CSU duket ende përpara dhe drejt projektimit të një mandati qeverisës. Por, siç u tha, gardhi është shumë i ulët dhe fakti është se Alice Weidel, është jo pak e gjatë për ta kaluar.

Evropa qendrore, por ekstreme

Evropa nuk ka probleme vetëm me fuqitë e mëdha. Edhe pjesa qendrore e saj është jo pak shqetësuese.

Në Poloni, PiS nuk është më në pushtet dhe u duk se Donald Tusk me Platformën Civile të tijën arritën të shpëtonin aleatin tejet të rëndësishëm në Evropën Qendrore nga kthetrat e të djathtës ekstreme dhe retorikës shumë shqetësuese po krijohej aty.

Megjithatë, nga radhët e PiS, Andrzej Duda vijon të mbetet president i vendit dhe pavarësisht mundësive të kufizuara që mandati i tij përmban, retorikën shpesh e ka pasur përplasëse dhe të ashpër, qoftë me vetë Tuskun, apo edhe në rang evropian.

Shqetësimi i vërtetë megjithatë mbetet Sllovakia e Robert Ficos. Ai dhe Orban janë qartësisht dy aleatët më të mëdhenj të Vladimir Putin brenda rrënjëve evropiane.

Fico madje arriti deri aty sa të shpërfillte çdo thirrje të Unionit kundër përgëzimeve që ai i bënte Putinit, apo takimeve që mund të kishte me të. Ai e takoi Putinin dhe Cari i Kremlinit ia serviri “qokën politike” në një pjatë të artë: Paqja në Ukrainë mund të arrihet në një tryezë negociatash sigurish – tha Putini – për shembull në Sllovaki nën drejtimin e kryeministrit Fico.

Një atentat ndaj jetës, që më pas rezultoi në plagosjen e rëndë të Ficos dhe rikuperimin e tij të avashtë, nuk e dobësoi aspak. As mëria që ka shkaktuar tek elektorati i qendrës nuk e ka munduar shumë atë, duke vijuar qeverisjen.

Frika është se Fico (së bashku me Orbanin), mund të jetë portali transportues i Putinit drejt tryezave evropiane dhe kjo do të ishte një goditje e rëndë për vetë Unionin që e ka sanksionuar si asnjëherë më parë Moskën dhe që kërkon ta bëjë të qartë se Ukraina vendos për Ukrainën dhe nuk ka negociata pa dëshirën e Kievit.

Sytë edhe nga Austria, me të djathtën ekstreme në ngjitje. Belgjika po ashtu rrezikonte deri edhe ndarjen. Ndërsa Holanda, ka Trumpin e saj, Gerd Wilders!

Vini re, vini re: Trump is back
Gjejeni se kush do të rikthehet për një mandat katër-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë? Pikërisht ai, Donald Trump!

Evropa nuk mund të konceptohet si funksionale pa SHBA-të, me Washington-in që vendos linja të qarta veprimi dhe i jep rrjedhë politikave të caktuara që ndërmerren nga ekzekutivi.

Fakti është se aleatët më të mëdhenj të Trumpit në Evropë janë të tillë: Viktor Orban, Giorgia Meloni.

Shpëton në Francë Emmanuel Macron, i cili ka një mandat që shtrihet deri në vitin 2027. Duhet parë më qartë nëse Trump do të vendosë të mbështesë AfD-në në Gjermani, apo do të drejtohet me një dorë të shtrirë ndaj kujtdo që triumfon në zgjedhje.

Mosmarrëveshjet e para me kontinentin e vjetër kanë filluar, me nxitjen e një fryme të re konservatoriste amerikane, nën dyshime se tatimet për mallrat mund të shtohen, apo edhe qëndrimet të ndryshojnë.

NATO-ja është po ashtu pikë kyçe, me Trump që garanton se SHBA-të nuk e braktisin aleancën. Por që njëkohësisht kërkon që shpenzimet buxhore të shkojnë nga 2% në 5%.

Politika e Trump ndaj emigrantëve mund të ushtrojë presion mbi BE-në për politikën e vet ndaj emigrantëve dhe këtu qartë fiton terren Meloni dhe të sajët, të cilët i përafrohen qëndrimeve të presidentit të zgjedhur amerikan.

Elon Musk gjendet prapa derës, gati jo për të trokitur, por për të shpërthyer çdo pengesë ndaj ideologjisë dhe bizneseve të tija shumë fitimprurëse, me Starlinkun në lojë, me simpatinë për Putinin, apo me makinat elektrike që shtohen dhe rivalizojnë Teslan.

Evropa është nën ethet e qarta të rikthimit të një fryme të frikshme fashiste në kontinent.

Zgjedhjet në Gjermani, vijimësia e Melonit, qartësia dhe diktati politik i LePen dhe tryeza potenciale e Paqes në Ukrainë mund të vënë piketat mbi formën që politika kontinentale do të jetë deri edhe në dhjetëvjeçarin e ardhshëm.

Por diçka është e sigurt, kaq shumë karrige, kaq shumë djathtas, në një Parlament Evropian nuk ishin parë ndonjëherë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com