Në kontrast të thellë me atë çfarë është duke ndodhur në kampin e opozitës e zhytur në përçarjen më të thellë prej krijimit, Partia Socialiste ka ndezur motorët elektoral, në funksion të zgjedhjeve të përgjithshme të 2025-ës, paçka se ato do të zhvillohen pas një viti.
Përmes një angazhimi total socialistët kanë nisur skanimin e performancës të gjitha strukturave në bazë.
Formula e zgjedhur përfshin të gjithë anëtarët e Asamblesë Kombëtare.
Blendi Klosi, sekretar i Përgjithshëm i PS, në një intervistë për Top Channel, shpjegon këtë proces me synimin final marrjen e një mandati të katër qeverisës.
“Faza e parë është ri-energjizimi organizatave të PS. Është kërkuar me një formulë të re që e gjithë trupa e Asamblesë Kombëtare që është një trupë rreth 400 anëtarësh janë shpërndarë në terren sipas parimit jo atje ku bëjnë jetën e partisë por për të monitoruar, audituar punë dhe problematikat në të gjithë situatën partiake. Natyrisht se çfarë duhet të bëjmë që të garantojmë fitoren e vitit 2025 të Partisë Socialiste”, tha Klosi.
Sipas statutit të PS, ministrat dhe zëvendës ministrat janë automatikisht anëtarë të Asamblesë Kombëtare, gjë e cila i ka përfshirë edhe ata në procesin e skanimit të bazës. Të qenurit anëtarë të Asamblesë Kombëtare, automatikisht ka përfshirë në këtë ri-energjizim të partisë edhe emra të njohur të shkëputur nga politika aktive siç janë Namik Dokle dhe Gramoz Ruçi.
“Partia Socialiste është një parti e fortë pasi ka arritur gjatë të gjithë jetës së saj të harmonizojë brezat dhe gjeneratat e kësaj partie. Në Asamblenë Kombëtare ka shumë themelues të ditës së parë. Kemi shpërndarë detyrat për çdo anëtarë asambleje ku Gramoz Ruci dhe Namik Dokle janë nga anëtarët më të nderuat të kësaj asambleje dhe padyshim janë njerëz që çdo detyrë partie e bëjnë me përgjegjshmëri të lartë mbase edhe me mirë se ne brezi i dytë apo i tretë le të themi i gjeneratës në asamblenë kombëtare”, shtoi Klosi.
Procesi skanimit të bazës socialiste përfshi zgjedhjet brenda organizatave të kësaj force politike janë dy prej çështjeve prioritare për diskutim në Asamblenë Kombëtare socialiste e cila do të mblidhet paraditen e të Dielës.
Nuk është vendosur ende nëse fjale e kryetarit të partisë Edi Rama do të jetë publike apo vetëm për anëtarët e asamblesë.
/f.s