Riaktivizohet marrëveshja me Italinë, anija me 49 emigrantë niset drejt Shëngjinit

Media prestigjioze ‘La Republica’ shkruan se 49 emigrantë që vijnë nga Egjipi, Bangladeshi, Gambia dhe Bregu i Fildishtë janë duke udhëtuar drejt Shëngjinit.

Sipas mediave italiane, Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi i dha urdhër anijes që të drejtohej për në Shqipëri. Transferimi i emigrantëve, për të cilin kryeministrja italiane ka thënë disa herë se nuk dëshiron të heqë dorë, i është besuar anijes ”Cassiopea”.

Kujtojmë se më herët, dy raste të sjelljes së emigrantëve në qendrat e Shëngjinit dhe Gjadrit u kundërshtuan nga gjyqtarët italianë, të cilët e referuan rastin në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

Gjykata e Romës mori vendimin kundër qëndrimit të emigrantëve të kapur në det nga Italia, në kampet e ngritura në Shqipëri. Pas këtij vendimi, qeveria italiane nxori një dekret ligjor që rishikonte listën e vendeve të konsideruara të sigurta për riatdhesim.

Në fillim të këtij muaji, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni tha se marrëveshja me Shqipërinë do vijojë të zbatohet, duke e cilësuar “leksion për Europën”. Kjo marrëveshje me rëndësi u nënshkrua më 6 Nëntor të 2023-it, por deri më tani ka ndeshur mjaft pengesa.

Megjithatë, më 25 Shkurt pritet që Gjykata Evropiane e Drejtësisë të japë një vendim mbi përcaktimin e vendeve të sigurta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com