Rezoluta e Parlamentit Europian për heqjen e vetos është një mekanizëm presioni në kushtet e kuadrit aktual legjislativ.
Eksperti i çështjeve europiane, Gledis Gjipali kujton se një sërë çështjesh e vendimesh kanë varësi nga të gjitha strukturat e vendimmarrjes europiane.
“Është më shumë një mjet për të shtuar presionin, për të ndryshuar mënyrën e vendimmarrjes por që tani ka disa vende që janë kundër. Janë një serë elementësh që e bëjnë të të vështirë për një ndryshim të shpejtë por krijon presionin e duhur për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi”, tha Gjipali.
Eksperti Gjipali e sheh me optimizëm dinamikën e një legjislacioni të tillë duke iu referuar një sërë çështjesh të bllokuara në vite, sa dhe përfaqësimit më të gjerë që kanë vendimmarrësit legjislative.
“Janë anëtarë të parlamentit që zgjidhen drejtpërdrejtë nga qytetarët europianë dhe është një mbështetje e madhe në këtë proces kaq të rëndësishëm. Fakti që kemi një proces të tillë e për herë të parë kemi diskutim të tilla ne vija paralele edhe në proces e zgjerimit është shumë pozitiv”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, për disa vendime ekziston edhe barriera e kundërt, pra që pa miratimin e Parlamentit europian ato nuk mund të hyjnë në fuqi siç është plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Në këtë rast, parlamenti duhet të miratojë mekanizmin financiar të ri që do të duhej të konsideronte mekanizmin aktual të lëvrimit të fondeve të BE-së për zgjerimin siç është p.sh IPA.
/a.r