Ish-kryetari i SHISH, Fatos Klosi ka komentuar në emisionin “Breaking” në Top News zhvillimet politike në vend.
Gjatë diskutimit me moderatoren Dafina Hysa, Klosi i ka rekomanduar opozitës të fokusohet te reforma zgjedhore për të garuar në kushte të barabarta në zgjedhjet e ardhshme, duke provuar njëkohësisht nëse është e aftë të fitojë.
“Komisionet hetimore janë sebep, sebep për t’u përplasur, deri tani komisionet hetimore nuk kanë bërë asgjë. Në fund vendos mazhoranca nëse do të ketë 1 raport apo 2 raporte, zakonisht kanë patur 2 raporte. Ata, atë që bëjnë në komision ta bëjnë në seancat plenare. Janë vetëm dy pjesë. Është situata e brendshme e opozitës që ka çuar në këtë situatë. Opozita, në këtë situatë që është po kërkon qiqra në hell. Ata duan të bëjnë spektakël, puna e tyre, por tani jemi 1 vit para zgjedhjeve, le të marrin pjesë në komisionin për reformën zgjedhore dhe të shohim nëse do të dalin mirë në zgjedhje”, tha Klosi.
Lidhur me debatet për reformën zgjedhore, Klosi tha se paltët tashmë janë specialistë të cilët kanë kaluar të paktën 3 apo 4 fushata zgjedhore, dhe e njohin shumë mirë problematikën. Ai tha se mbështet idenë e listave të hapura dhe votën e emigrantëve.
“Për mua gjëja më e rëndësishme do të ishin listat e hapura, pjesëmarrja e emigracionit në votime, sepse janë një pjesë e madhe dhe kanë kontribuar. Kështu që do t’i bënin mirë votimeve. Problemet teknike, mund të shikohen. Më ka pëlqyer ideja që vota të bëhet e barabartë në zonat zgjedhore. Në Kukës është shumë e ulët, me 8 mijë vota nuk mund të bëhesh deputet. Në kohën tonë, fshatarët kërkonin lopë, na jep një lopë të të votojmë. Por le t’i parashikojnë, ata e mbajnë veten për specialistë në këtë punë. Kanë bërë nga 3-4 fushata”, deklaroi Klosi.
/a.r