Reforma Zgjedhore, Bylykbashi: Vota e emigrantëve prish llogaritë e patronazhistëve

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka bërë thirrje që mazhoranca qeverisëse dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’iu japë mundësinë emigrantëve që jetojnë jashtë vendit që të votojnë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Bylykbashi bëri apel që në këtë proces të pëfshihen edhe emigrantët që nuk kanë një vendbanim të ligjshëm jashtë vendit.

Deputeti i PD-së tha se për kategorinë e emigrantëve që jetojnë jashtë vendit pa një vendbanim të regjistruar, Partia Socialiste kërkon që t’i përjashtojë ata nga e drejta për të votuar në zgjedhjet e ardhshme.

Të gjithë ata që në momentin e zgjedhjeve janë jashtë Shqipërisë, në një moment të caktuar të kenë të drejtën për të votuar.

Propozimi i opozitës ishte më i gjerë se sa propozimi i Partisë Socialiste e cila e reduktonte votën vetëm te emigrantët e ligjshëm që kanë një vendbanim të caktuar në vendin ku jetojnë, të regjistruar me dokumentacion të ligjshëm, duke përjashtuar dhjetëra apo qindra e mijëra shtetas shqiptarë të larguar në këtë 10-vjeçar të një eksodi të shkaktuar nga qeverisja e Edi Ramës por që ende nuk kanë një regjistrim të ligjshëm.

Kjo do të krijonte dy kategori, zgjedhës shqiptarë që janë të ligjshëm dhe ata që janë të paligjshëm. Çdo shtetas shqiptar ka të drejtë të votojë. Çdo emigrant që gjendet jashtë të regjistrohet në KQZ me rregullat konsensuale të miratuara me mënyrë të thjeshtë regjistrimi dhe të shprehë votën në mënyrë të lirë”, u shpreh Bylykbashi.

Ai shtoi se votimi i emigrantëve të bëhet përmes një shërbimi postar ndërkombëtar që nuk manipulohet dot. Ndërsa shpjegoi se një volum i votave që mund të vijë nga emigrantët shqiptarë prish gjithë strukturën shtetërore të patronazhistëve të angazhuar nga partia në pushtet.

Mundësia e votimit të bëhet përmes një shërbimi postar të shpejtë ndërkombëtar për të garantuar paanshmërinë e këtij shërbimi.

Kemi garantuar që vota e tyre të jetë e barabartë që vota të shkojë dhe të llogaritet në vendbanimin e tyre origjinal, nëse kanë ikur nga qarku i Tiranës do të votojë për Tiranën, nëse ka ikur nga Dibra do votojë për Dibrën e kështu me radhë.

Vota e shqiptarit jashtë do të vlejë njësoj me votën e shqiptarit brenda. Ky është një sukses i madh i opozitës.  Ne kërkojmë që KQZ të bëjë gati bazën ligjore dhe logjistike që të bëhet e mundur në zgjedhjet e vitit 2025. Të mos tërhiqen zvarrë siç u në vitin 2020 kur u fut e drejta e votës nga jashtë. Thirrja jonë është që sa më shumë shqiptarë të regjistrohen dhe të shprehin me votë.

Një volum vote i madh që vjen nga jashtë prish çdo llogari patronazhimi që bën Partia Socialiste duke kontrolluar shtetin dhe duke dhunuar shtetasit shqiptarë që votojnë brenda Shqipërisë”, u shpreh Bylykbashi.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com