Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, ka deklaruar se Komisioni i Reformës nuk është një komision që synon se kush do të rri në karrigen e bashkëkryetarit.
“Besoj se përgjigja është publike tani është thënë nga shumë përfaqësues të Partisë Demokratike. Opozita shkon në komisionin e reformës zgjedhore për të nxjerr një produkt, ndryshime ligjore të cilat forcojnë votën e shqiptarëve. Komisioni i Reformës nuk është një komision që synon se kush do të rri në karrigen e bashkëkryetarit. Unë them që interesi ynë është i qartë.
Zgjedhjet janë një instrument që publiku të vendos me shpatulla pas murit ata që nuk gëzojnë mbështetje. Besoj që kjo është një e dhënë e mirë kjo, që publiku shqiptar nuk e mbështet këtë qeveri.
Publiku ka në dorë votën dhe për këtë duhet të krijohet një sistem zgjedhor. Gjysmën e shqiptarëve që nuk ndodhen në Shqipëri duhet t’i japim të drejtën e tyre. Shqiptarët janë të gjithë të përfaqësuar në këtë komision”, tha Alibeaj në “Tirana Live”.
Më tej, ai është ndalur te propozimet e Partisë Demokratike për Reformën Zgjedhore, duke theksuar se si synim është të vendosim barazinë e votës, në mënyrë që të peshojë njëlloj si në Tropojë, Korçë dhe në të gjitha qytetet e Shqipërisë.
“Nuk di se çfarë ka thënë zoti Gjiknuri. Unë pres prej kohësh nga ana e maxhorancës një qendrim për ato që ne kemi propozuar. Gjëja e parë që ne kemi propozuar janë listat e hapura, ku zgjedhësit kanë të drejtë të zgjedhin nga i pari te 120 për secilën parti.
Kjo është një mundësi e mirë se zgjedhësit shqiptar kanë të drejtën të vendosin dhe të rrëzojnë këtë klasë politike. Së dyti vota e shqiptarit është e mundur të peshojë njësoj, si në Tropojë, Korçë dhe Sarandë. Ta dëgjojmë zyrtarisht kur ta thotë. Ajo që është e rëndësishme është që vendosim barazinë e votës.
Unë besoj që për votën e shqiptarëve, për një sistem zgjedhor që garanton votën e barabartë dhe të ndershme, askush nuk ua ka dhënë këtë më parë. Do të ketë dhe pengesa, e rëndësishme është që kur shohim çdo interes tonin, a shkojnë shqiptarët aty ku duhen”, shtoi Alibeaj.
/f.s