Teksa lufta e Izraelit në Gazë hyn në muajin e saj të 19-të, shkalla e shkatërrimit është tronditëse. Dhjetëra mijëra të vdekur, lagje të tëra të shkatërruar dhe uria po kërcënon popullsinë civile.
Raportuesja Speciale e OKB-së për territorin e pushtuar palestinez, Francesca Albanese ka deklaruar se bota shikon në heshtje atë që po ndodh në Gazë dhe nuk reagon.
Në një intervistë për “The New Arab”, Albanese jep një mesazh të ashpër. Ajo thotë se situata në Gazë nuk është thjesht një luftë, por një gjenocid që ndodh në kohë reale.
Ajo fajëson jo vetëm fushatën ushtarake izraelite, por edhe indiferencën dhe mbështetjen globale nga qeveritë dhe korporatat e fuqishme.
“Nuk mendoj se ka pasur ndonjë gjë në historinë moderne që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore që të jetë aq sadiste dhe e militarizuar sa ky sulm,” thotë ajo.
Mandati i Raportuesit Special të OKB-së për Palestinën ka qenë gjithmonë i vështirë politikisht. Krijuar në vitin 1993, në të njëjtin vit që Marrëveshja e Oslos premtoi një rrugë drejt shtetësisë palestineze, ky rol është përballur me rezistencë të përsëritur.
“Ky mandat ka qenë gjithmonë nën sulm, kryesisht nga Izraeli dhe ndonjëherë nga SHBA. Por askush në Këshillin e të Drejtave të Njeriut nuk votoi kundër meje”, shprehet ajo.