SPAK vë në dukje se grupet kriminale shqiptare janë sofistikuar, ndërkohë që janë krijuar grupe të specializuara për vrasje me pagesë.
Në raportin e SPAK për vitin 2023, evidentohet se ata janë grupe të cilat veprojnë në qarqe të ngushta me 4-7 anëtarë, ku njëri ose dy prej tyre mund të konsiderohen persona kyç të cilët pasi marrin porositë bëjnë planin e ekzekutimit. Komunikojnë përmes platformave të koduara si, SKY/ECC dhe Encrochat. Armët e zjarrit blihen në tregun e zi (p.sh. në Fushë-Krujë, Durrës, Elbasan etj, ndërsa eksplozivin në Kosovë.
Një veçori tjetër që spikat në lidhje me rritjen e sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare është krijimi i grupeve të specializuara në vrasjet apo aktet e tjera kriminale të porositura nga të tretët.
Këto grupe kriminale janë të fokusuara në disa vepra penale tipike si, vrasjet ose plagosjet me pagesë, ushtrim dhune, shkatërrim prone, grabitje me dhunë etj.
Organizimi i tyre është në baza shoqërore dhe kryesisht anëtarët e këtyre grupeve kanë një të shkuar kriminale.
Për shkak të ruajtjes së lartë të fshehtësisë së vrasjeve me pagesë dhe nevojës për veprime, të cilat kërkojnë zgjidhje momentale të shumta, këto grupe nuk kanë një strukturë hierarkike të qartë, pasi janë grupe të cilat veprojnë në qarqe të ngushta, me 4-7 anëtarë, ku njëri ose dy prej tyre mund të konsiderohen persona kyç.
Këta të fundit marrin porositë dhe bëjnë planifikimin e kryerjes së akteve kriminale.
Më pas ndahen detyrat dhe kryhen veprimet. Këto grupe janë poli-kriminale dhe përveç marrjes së porosive për vrasje, kryejnë aktivitete të tjera kriminale edhe për llogari të grupit të tyre kriminal.
Ndër aktivitetet kriminale më të preferuara pas vrasjeve, janë vjedhjet dhe grabitjet me dhunë të sendeve me vlerë (metale të çmuara), si dhe grabitjet e zyrave të shkëmbimit valutor.
Mjetet e krimit sigurohen në tregjet kriminale, p.sh. eksplozivët sigurohen në Kosovë, makina ose motorë të vjedhur, të cilët rezultojnë të tilla në qytete të ndryshme të vendit dhe armët e zjarrit blihen në tregun e zi (p.sh. në Fushë-Krujë, Durrës, Elbasan etj.)
Komunikimet midis anëtarëve të grupit në lidhje me aktet kriminale kryhen nëpërmjet platformave të koduara si, SKY/ECC dhe Encrochat./m.j