Raporti për heqjen e masave të Bashkimit Europian ndaj Kosovës po finalizohet. Këtë e thotë zëdhënësi i atij që po e harton, Josep Borrell, shef i Unionit për politikë të jashtme dhe siguri. Peter Stano u përgjigj shumë shkurt dhe vetëm me një fjali lidhur me këtë çështje, pa treguar nëse raporti apo vendet anëtare do të marrin ndonjë vendim përpara se mbarë Europa të shkojë në zgjedhje për të caktuar drejtuesit dhe ligjvënësit e rinj.
Por zëdhënësi i BE-së sinjalizoi se mbyllja e bankave të paligjshme serbe në veri të Kosovës do të ndikojnë negativisht në heqjen e masave.
“Sigurisht që do të përfshihen në raport. Masat janë vendosur si një reagim ndaj hapave të njëanshëm dhe të pakoordinuar që sollën më shumë tensione dhe nuk ndihmuan në qetësimin e situatës. Ato u njoftuan me qëllimin për të motivuar autoritetet e Kosovës që të punojnë në zbutjen e tensioneve. Pra sigurisht që gjithçka që po ndodh në terren dhe që ka ndikim negativ në përpjekjet për uljen e tensioneve po merren parasysh dhe do të përfshihen në raport.”
Policia e Kosovës, pas një urdhri të Prokurorisë, ndërmori një aksion për mbylljen e 6 filialeve të paligjshme të Bankës Postare të Kursimeve të Serbisë në veriun e vendit më 20 maj.
Operacioni shkoi mirë dhe nuk pati rezistencë apo incidente, por partnerët ndërkombëtarë të Prishtinës, Brukseli dhe Uashingtoni, e kritikuan ashpër atë.
Masat ndaj Kosovës janë vendosur vitin e kaluar me arsyetimin se qeveria dështoi në marrjen e masave apo përmbushjen e kushteve për të shmangur rritjen e tensioneve në katër komunave veriore.