Kryeministri Edi Rama tregoi në OKB se ku është frymëzuar për krijimin e shtetit sovran Bektashi në Tiranë. Gjatë fjalës së tij Samitin për të Ardhmen në asamble, Rama i kujtoi edhe një herë botës shembujt e mirë që shqiptarët kanë dhënë përgjatë historisë në dobi të njerëzimit.
“Shqipëria mund të jetë një vend i vogël, por i ka dhënë botës shembuj të mirë. Gjatë Luftës II Botërore, Shqipëria u shndërrua i vetmi vend në Europë që kishte më shumë hebrenj pas luftës sesa para saj. Komuniteti hebre u rrit 20-fish gjatë Holokaustit falë familjeve myslimane e të krishtere.
Më se fundmi, pas rënies së Kabulit në duart e Talebanëve tre vjet më parë ne strehuam disa mijëra afganë, që në të kundërt do të kishin përfunduar në rrethin e 9-të të ferrit.
Shqipëria po kështu i ka dhënë botës shenjtoren më të re, Nënë Terezën, jeta e së cilës ka mishëruar dashurinë për njerëzimin.
Na ka kujtuar se jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.
Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria dhe kjo është ajo me të cilën rrekemi të veprojmë dhe ky është burimi i frymëzimit tonë për të mbështetur transformimin e Qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë Tiranës, si një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë”, tha kryeministri.
Lajmi për krijimin e një shteti të tillë u artikulua fillimisht në prestigjiozen amerikane “New York Times”, ku flet vetë kryeministri Edi Rama dhe Kryegjyshi Edmond Brahimaj. Kryeministri Rama tha se në të ardhmen e afërt do të shpallë planet për entitetin, që do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi.
Reagimi i Kryegjyshatës
“Selia Botërore e Bektashinjve mirëpret shpalljen e nismës së jashtëzakonshme për krijimin e Urdhrit Bektashi si një entitet plotësisht sovran, duke sjellë një epokë të re për tolerancën fetare globale dhe promovimin e paqes”. Kështu thotë Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve në një njoftim për mediat, raporton A2 CNN. “Ky hap historik synon të njohë Urdhrin Bektashi si një shtet të pavarur, vetëqeverisës – i përkushtuar për të mbështetur traditën e tij shekullore të moderimit dhe përfshirjes shpirtërore”.
“Urdhri Bektashi, i njohur për mesazhin e tij të paqes, tolerancës dhe harmonisë fetare, do të fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative. Kjo lëvizje do t’i mundësojë Urdhrit të forcojë rolin e tij në nxitjen e dialogut global ndërfetar dhe në kundërshtimin e rritjes së ekstremizmit të dhunshëm në mbarë botën. Sovraniteti do të sigurojë mbrojtjen dhe pavarësinë e praktikave fetare të Urdhrit Bektashi dhe promovimin ndërkombëtar të këtyre vlerave.
Për besimtarët e Urdhrit Bektashi nëpër botë, ky sovranitet siguron njohjen zyrtare të bashkësisë së tyre fetare dhe siguron mbrojtjen e praktikave të tyre shpirtërore. Ai gjithashtu do të krijojë një platformë që Urdhri të përhapë mesazhin e tij të paqes dhe tolerancës në mënyrë më efektive, duke shërbyer si një zë global për Islamin e moderuar. Sovraniteti i Urdhrit Bektashi është një hap i rëndësishëm në forcimin e vlerave të përfshirjes, harmonisë fetare dhe dialogut në një botë gjithnjë e më të ndarë”, thuhet në njoftim.
“Kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen; as nuk po kërkojmë ndikim apo pushtet politik. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë lirinë për të vazhduar traditën tonë shekullore të moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare”, theksoi Kryegjyshi Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Në njoftim sqarohet edhe cilët persona do të përfitojnë shtetësinë e shtetit të ri që pretendohet të krijohet. “Si ent shpirtëror, shtetësia në shtetin e ri sovran të Urdhrit Bektashi do të kufizohet vetëm tek anëtarët e klerit dhe individët e angazhuar në administrimin e shtetit. Qeverisja e shtetit do të udhëhiqet nga udhëheqja shpirtërore e Urdhrit, me Kryegjyshin (Dedebaba) dhe një këshill që do të mbikëqyrë funksionet fetare dhe administrative. Ndryshe nga sa është aluduar në media, shteti i ri nuk do të ketë asnjë synim tjetër veç udhëheqjes shpirtërore”, thuhet në deklaratën për mediat.
Urdhri Bektashi është një rend sufi shiit i themeluar në shekullin e 13-të në Turqi, por tani me qendër në Shqipëri. Duke kombinuar një interpretim të lirë të Kuranit me misticizmin, elementet e besimeve para-islamike të Turqisë dhe përkushtimin ndaj të urtëve të tyre të vdekur, të njohur si dervishët, bektashinjtë e zhvendosën selinë e tyre në Tiranë nga Turqia gati një shekull më parë.
/a.r