Kryeministri Edi Rama, duke folur në një takim me gra dhe vajza të Kavajës, tha të hënën se gjinia femërore e gjen veten më të përfaqësuar dhe me fuqi vendimmarrëse në Partinë Socialiste.
Takimi u zhvillua në vazhdën e fushatës elektorale për 11 Majin.
Kryesocialisti shpalli objektivin e partisë për sa i përket ndarjes gjinore, duke iu përgjigjur edhe kritikëve për tubimet e tij të përsëritura, që kanë në fokus gruan shqiptare.
“E nisëm me 12 për qind në total gra në PS dhe hap pas hapi kemi arritur sot në 40 për qind. Nga rreth 100 mijë anëtarë të regjistruar të PS-së kemi diku te 39 mijë gra. Por unë besoj që as duhet të kënaqemi, as duhet të ndalemi këtu, deri kur në PS të bëhen 50 mijë gra dhe vajza dhe kur numri të jetë 50% me 50%, por një vajzë më tepër. Kemi bërë hapa të konsiderueshëm dhe kjo pasqyrohet me shumë domethënie në jetën publike ku gratë në këshillat bashkiakë janë 50%, në parlament janë shumë më tepër se dikur, kur parlamenti dukej si odë otomane. Në qeveri janë mbi 50%, në drejtimin e sipërmarrjeve kanë arritur në thuajse 30%.
Ne sot kemi shumë më tepër gra dhe vajza në vendimmarrje. Ka filluar një sëkëlldi, që shprehet sidomos nga ato pasqyrat e kënetës në mbrëmje nëpër ekrane, kur dalin këta të tërë dhe thonë se Edi Rama po ofendon burrat. Unë nuk po ofendoj burrat. Unë thjesht konstatoj një fakt që gjysma e burrave janë shumë në rregull, ka edhe një gjysmë tjetër që janë çyrykë,” deklaroi z. Rama.
Kryeministri adresoi edhe fenomenin e dhunës ndaj grave dhe trajtimin e pabarabartë të vajzave, duke theksuar se megjithëse ka rënie të këtyre treguesve, akoma mbetet punë për t’u bërë.