Kryeministri Edi Rama ka vijuar me procesin e rienergjizimit të Partisë Socialiste, ku ndalesa e radhës ishte Lushnja.
“Besoj se jeni në dijeni të faktit që ky është një proces i shtrirë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në të gjithë organizmin e Partisë Socialiste dhe është një proces që lidhet me domosdoshmërinë që Partia Socialiste të hapet, të ripërtërihet dhe të shtrihet përtej kufijve të vjetër partiak në territor.
Është shumë e rëndësishme që ne të gjithë të jemi të vetëdijshëm se progresi që kemi bërë me ekonominë, progresi që kemi bërë me drejtësinë, progresi që kemi bërë me pozicionimin ndërkombëtar të Shqipërisë e ka hapur një portë të re për Shqipërinë padiskutim, por kjo portë e re nuk duhet të mbyllet.
Cikli ynë i qeverisjes është një cikël i pambyllur, që do të thotë që të gjithë kantieret e reformave janë kantiere të pambyllura, që do të thotë që për të garantuar mbylljen e tyre me sukses, ne duhet të bëjmë çmos që të arrijmë objektivat strategjik të vizionit të Shqipërisë 2030.
Unë kam besuar qysh kur kam filluar ta njoh nga brenda Partinë Socialiste dhe ta shkel të gjithë territorin dhe të shoh hap pas hapi dhe rezultatet, që nuk ka asnjë qendër votimi në Republikën e Shqipërisë që Partia Socialist nuk fiton dot, nuk ekziston.
Ama është pak por e sigurt që ne kemi një potencial shumë më të madh se sa rezultatet, qoftë në aspektin e fushave të zhvillimit të vendit, kemi një potencial shumë më të madh se rezultatet në ekonomi, pavarësisht se sot pa diskutim ekonomia është më mirë se sa ka qenë ndonjëherë, por ama nuk është aq mirë sa, ne duhet ta bëjmë që të jetë. Pa folur për drejtësinë që nuk diskutohet, ka hyrë në një fazë të re, por është një fazë e re embrionale që duhet garantuar.
Ne kemi hyrë në procesin e negocimit me Bashkimin Europian, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Por ato që quhen negociata me Bashkimin Europian, në fakt nuk janë negociata në të vërtetë.
Në të vërtetë ato janë çfarë Bashkimi Europian kërkon, e çfarë ne duhet të bëjmë.
Na duhet të garantojmë një shumicë qeverisëse të qëndrueshme, të aftë për të marrë vendime në vazhdim dhe një mbështetje për vazhdimin e reformave”, tha Rama./m.j