“Rama në Athinë, tur bashkimi”/ Deputeti socialist: Vota e emigrantëve? Vullneti i PS është i madh, pengesat janë burokratike

Deputeti socialist, Bardhyl Kollçaku komentoi takimin e së dielës të kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Greqi. Në një intervistë për “Special Report” me gazetarin Arlind Isa, deputeti u shpreh se turi për diasporën nuk është elektoral i PS-së por një tur bashkimi dhe bashkëpunimi.

“Turi për diasporën nuk është investim elektoral dhe as një qëllim i PS apo kryeministrit Rama. Është një tur falenderimi, mirënjohje për përpjekjet titanike disa dekada të qindra mijëra e emigrantëve, të cilët me sakrifica, punë dhe djersë na kanë bërë ne krenarë. Tani është momenti që edhe ata të jenë krenarë për arritjet e Shqipërisë. Është tur bashkëbisedimi, bashkimi por pse jo dhe mundësish perspektivash të reja ekonomike nga të dyja anët.

Diaspora është një nga burimet kryesore të vitalitetit të ekonomisë shqiptare, burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët ku punojnë dhe jetojnë me arritjet e tyre dhe lartësimi i rolit dhe pozicionit të Shqipërisë në këtë dekadë të fundit në arenën ndërkombëtare i bën të dyja palët që të ndihen mirë. Mendoj se Rama ia doli që t’i përcillte mesazhet me emocion e sinqeritet. Pamë jo vetëm ata që ishin mbledhur aty, edhe nga vetë mediat greke që ishte dyshuese. Ishin mesazhe bashkimi të një fqinjësie të mirë, që ne duhet t’i çojmë akoma më tej këto marrëdhënie të mira.”, tha deputeti.

Sa i përket votës së emigrantëve, deputeti tha se PS e ka vullnetin e mirë. Ai shtoi se duhet të ndjekim shembullin e vendeve si Kosova dhe Maqedonia për implementimin e kësaj reforme.

“Në kushtetutë garantohen të drejtat e të gjithë shqiptarëve për të votuar. Një pjesë e ushtrojnë këtë të drejtë, vijnë në kohën e votimeve edhe nga Greqia dhe Italia, por pamundësitë gjeografike një pjesë ua kufizojnë. Në kodin elektoral garantohet votimi i tyre. Ajo që ngelet në pikëpyetje janë aktet nënligjore që të mundësohet vota e emigrantëve. Unë kam qenë dhe jam partizan që kjo e drejtë duhet të garantohet. Modalitetet, në bashkëpunim jo vetëm me opozitën, komisioni bipartizan po dhe kolegji zgjedhor dhe autoriteti i zgjedhjeve duhet t’i shfrytëzojë të gjitha hapësirat ligjore.

Koha po troket, kemi më pak se një vit kohë, duhet që të gjitha grupimet politikëe të bëhen bashkë. Mendoj se mund të ketë pengesa teknike por vullneti i PS është aty. Mendoj se do të na bashkohen edhe partitë e tjera pasi askush nuk humbet. Me votën e emigrantëve fiton Shqipëria. Inkurajoj faktorët që të gjejnë modalitetet që të mundësohet. Mbase për 2025 mund të jetë me projekte pilote. Edhe vendet e tjera kështu e kanë filluar, qoftë Kosova apo MV, po të jetë dëshira e mirë kjo mund të realizohet dhe duhet të bëhet.”, shtoi deputeti./m.j

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com