Gjimnazi “Babë Dudë Karbunara” në Berat është gati për vitin e ri shkollor, për të pritur me kushte dinjitoze 640 nxënës dhe mësues.
I ndërtuar me financim të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe bashkisë, kjo shkollë është kthyer në një institucion arsimor me standarde europiane.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga ambientet e kësaj shkolle e cila do të shërbejë edhe si qendër komunitare.
Kryeministri theksoi se tashmë një hapësirë e re moderne i shtohet qytetit.
Shkolla e re ka kapacitete të shtuara, palestër, auditor, bibliotekë, hapësira ndihmëse dhe laboratorë në një sipërfaqe ndërtimi prej 4380 m2, në shërbim të 640 nxënësve dhe mësuesve, si dhe do të shërbejë edhe pas orarit mësimor, si qendër komunitare.
Shkolla “Babë Dudë Karbunara” në Berat është ndërtuar 60 vite më parë. Gjatë kësaj kohe, ka pasur disa rikonstruksione, por gjendja e ndërtesës ishte e amortizuar.