Rama komenton dinarin në Kosovë, 2% të shpenzimeve ushtarake dhe a do të kërkojë një mandat të katërt në 2025

Kryeministri Edi Rama, deklaroi se vizita e sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken tregon se SHBA e konsideron Shqipërinë një vend të rëndësishëm dhe ka një konsideratë të veçantë për rolin e Shqipëria ka marrë përsipër të luajë në rajon. Këto deklarata kreu i qeverisë shqiptare i bëri gjatë një interviste për emisionin ‘CONTEXT’ në ATV .

“Angazhimi i fundit në Këshillin e Sigurimit, ku Shqipëria ka marrë një falënderim jashtëzakonisht domethënës nga përfaqësuesja e Shtetit të Bashkuara, ambasadorja në atë tryezë për kontributin e veçantë. Sigurisht që kjo vizitë lidhet edhe me një besim shumë të fortë të aleatëve tanë strategjikë tek Shqipëria, tek pesha e Shqipërisë sot në rajon dhe patjetër edhe me një konsideratë të veçantë për rolin e Shqipëria ka marrë përsipër të luajë në rajon si një vend me dorën e shtrirë të miqësisë për të gjitha shijet e lagjes sonë Ballkanike në mes të Evropës”, tha Rama.

Ai tha se Shqipëria është ngjitur në një tjetër nivel në aspektin e pozicionimit dhe prezantimit të saj ndërkombëtar.

“Sot Shqipëria është ngjitur në një tjetër nivel në aspektin e pozicionimit dhe prezantimit të saj ndërkombëtar, falë edhe një sërë hapash shumë të rëndësishëm që ne kemi bërë në politikën tonë të jashtme, por edhe një sërë angazhimesh të paimagjinueshme, deri kur ka ndodhur, të Shqipërisë në tryezat më të rëndësishme të politikës ndërkombëtare”, tha Rama.

Shqipëria do të kontribuojë me 2% buxhetit për shpenzimet e veta ushtarake

Rama, lidhur me krikikat e kandidatit për president të SHBA-së, Donald Trump për shpenzime të pamjaftueshme në mbrojtje, tha se Shqipëria do të përmbushë zotimet e marra në kuadër të NATO-s që të kontribuojë me 2 për qind të buxhetit për shpenzimet e veta ushtarake.

“Ne, këtë angazhim nuk e shohim si një angazhim që e kemi marrë ndaj një presidenti apo ndaj një presidenti tjetër, pos një angazhim të marrë në kuadër të NATO-s, ku kemi privilegjin të jemi pjesë dhe ku do të përmbushim me seriozitet, të gjitha angazhimet që merren në atë tryezë, në të cilën secili sipas madhësisë dhe sipas buxhetit duhet të kontribuojë me 2% të buxhetit për shpenzimet e veta ushtarake, si dhe në anën tjetër sigurisht që ne do të vazhdojmë të rrisim kapacitetet tona ushtarake, jo sepse po përgatitemi për ndonjë luftë në rajonin tonë, por sepse jemi pjesë e një aleance brenda së cilës ka angazhime dhe ka detyrime që ne duam t’i respektojmë një për një”, tha Rama.

Ai tha se Shqipëria e ka të gjithë vendosmërinë që t’i përgjigjet angazhimeve të marra nga NATO.

“Ajo që ne bëjmë është brenda kontekstit të aleancës euro-atlantike, është brenda kontekstit të NATO-s, brenda detyrimeve tona dhe brenda kuadrit të seriozitet tonë si një vënë anëtar i NATO-s, i cili është një votë i vogël, që nuk mund të ndryshojë fatet e betejave të mëdha, në të cilat NATO përfshihet, por që ka të gjithë angazhimin dhe të gjithë vendosmërinë që t’i përgjigjet në madhësinë e vet të gjitha angazhimeve të marra, duke filluar nga angazhimi i financimit të shpenzimeve ushtarake me 2% të buxhetit tonë”, tha Rama.

Mbledhja në KS të OKB-së ishte kthim mbrapa për Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë, tha përgjatë intervistës se mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilën u zhvillua debati mes Kosovës dhe Serbisë sa i takon vendimit për dinarin serb, ishte një mbledhje e pakuptimtë.

“Nuk është Këshilli i Sigurimit, ka kohë që s’është dhe që s’duhet të bëhet vendi ku diskutohet Kosova apo Kosova diskuton çështje e saj dhe kundërshtitë e saj me Serbinë. Kosova është si Serbia, një shtet i pavarur, do apo s’do Serbia, e njohin apo s’e njohin ata që ende nuk e njohin dhe çështjet që ka me Serbinë, Kosova i diskuton si e barabartë dhe duhet të diskutojë si e barabartë në tryezën e dialogut dhe t’i zgjidhë tryezën e dialogut”, tha Rama.

Sipas tij, kjo mbledhje ishte kthim mbrapa për Kosovën.

“Nuk ka asnjë kuptim që Kosova të thirret atje dhe të shkojë atje dhe të përplaset atje, si një realitet që ca e konsiderojnë shtet, ca nuk e konsiderojnë shtet. Është nonsens”, tha Rama.

Kosova duhet të dalë nga loja e Serbisë se kush e ka fajin

Rama tha se Kosova duhet të dalë nga loja e Serbisë se kush e ka fajin. Ai tha se Kosova duhet të tregohet e vetëdijshme për barrën e përgjegjësisë që ka si një anëtar i ri i bashkësisë ndërkombëtare.

“Thelbi i gabimit strategjik që bëjnë të gjithë ata që mendojnë se subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës dhe shtetnjohja përfundimtare e Kosovës do të vijnë përmes një procesi ku Kosova do bëjë garë me Serbinë se kush e ka më shumë fajin. Jo, në këndvështrimin tim dhe unë këtë e kam thënë gjithmonë, qasja jonë strategjike e shqiptarëve dhe në këtë rast flasim për Kosovën, por mendoj që kështu është edhe për Shqipërinë dhe kështu duhet të jetë për të gjithë shqiptarët, nuk është që të fajësojnë të tjerët, apo të hyjmë në lojën e fajësimit të njëri-tjetrit në sensin ‘jo shiko, dakord, ne jemi mbase këtë, po shiko ata’. Ne nuk kemi punë fare me ata, ne këto gjëra i bëjmë për veten tonë, e Kosova për veten e saj duhet të shkëlqejë në këtë proces. Kosova, për veten e saj duhet të tregojë ndërkombëtarisht një qenie e cila është plotësisht e vetëdijshme për barrën e flamurit që ka, për barrën e Kushtetutës që ka, për barrën e përgjegjësisë që ka, si një aktor i ri, si një anëtar i ri i bashkësisë ndërkombëtare. Nuk është Serbia etaloni dhe nuk është Serbia standardi dhe nuk është Serbia pika e referimit”, tha Rama.

Ai tha se po të ishte vetë në këtë proces, do t’i kishte përmbushur të gjitha detyrimet ndërkombëtare, ku më pas Serbinë do ua kishte lënë në dorë të tjerëve që të merreshin me të.

“Unë e kam thënë kohë më parë, në rast se do të ishte për mua unë marrëveshjen do ta kisha firmosur në mënyrë të njëanshme, duke i përmbushur të gjitha detyrimet e mia në raport me këtë përpjekje për subjektivitet të plotë ndërkombëtar dhe duke ia lënë pastaj Serbinë në dorë tjerëve që të merreshin me të dhe jo të rrija unë e të merreshin me mua gjatë gjithë kohës, ‘pse e bën këtë, pse s’bën atë, e tjerë’”, tha Rama.

Sipas tij, Kosova nuk duhet të krahasohet fare me Serbinë, por që duhet të mendojë për gjeneratën tjetër.

“Duhet të nxitojmë e të bëjë ç’është e mundur që të bëhet e denjët për gjeneratën tjetër si një shtet i njohur nga të tërë dhe për këtë mendoj që në politikën ndërkombëtare dhe në arenën ndërkombëtare, në kushtet e sotme, për vendet si ne, duke bërë të keqin, nuk fiton asgjë, dhe bërë të mirin, mund të fitosh diçka”, tha Rama.

Çdo sulm mbi Kosovën, është sulm mbi Shqipërinë

Kryeministri, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se çdo sulm mbi Kosovën, është sulm mbi Shqipërinë. Ai tha se Kosova nuk është vetëm, jo thjesht se e ka Shqipërinë, por sipas tij, sepse i ka edhe aleatët strategjik.

“Shqipëria nuk është thjesht një entitet gjeografik apo një entitet shtetëror që ka lidhje speciale me Kosovën dhe çdo sulm mbi Kosovën, është sulm mbi Shqipërinë, por nga anën tjetër, mos të harrojmë asnjëherë dhe për këtë arsye duhet me i pasë parasysh të gjitha kur nganjëherë e kalojmë masën në raport me aleatët, se Kosova nuk është vetëm, jo thjesht se ka Shqipërinë, po sepse ka aleat strategjik, që i dimë fare mirë kush janë, pa të cilin Kosova s’do të ekzistonte sot si shtet dhe me të cilët Kosova mund t’i arrijë të gjitha ato që ne të gjithë duam që Kosova t’i arrijë. Kështu që, për këtë arsye duhet menduar çdo ditë për peshën dhe rëndësinë e aleatëve, edhe kur je në një paqe të plotë e jo më kur je në një proces si ky, kur ke nevojë për sa më shumë miq dhe kur të humbasësh miq apo të ftohësh zemrën e miqve është gjëja më e pakëshillueshme e mundshme”, tha Rama.

Ai thotë se, as që diskutohet që Shqipëria do t’i qëndrojë pranë Kosovës në çdo rast nevoje.

“As nuk diskutohet që Shqipëria ka qëndruar, qëndron dhe do të qëndrojë pranë Kosovës në çdo rast nevoje, nëse edhe, mos e dhëntë Zoti gjërat shkojnë në pikën ku në mes nuk është më fjala, po janë armët”, tha Rama.

A do ta kërkojë mandatin e katërt si kryeministër?

Rama foli edhe për kongresin zgjedhor të PS-së që do të mbahet në qershor dhe tha se ky kongres nuk ka të bëjë me mandatin e tij të katërt në krye të Qeverisë.

Ai tha se zgjedhjet janë ende larg, andaj për të folur për mandatin e katërt duhet ende kohë.

“Për të folur për mandatin e katërt duhet akoma kohë, sepse jemi ende vitin e dhjetë të qeverisjes, fillojmë vitin e njëmbëdhjetë në shtator dhe zgjedhjet janë ende larg për mua, sepse deri në qershorin e 2025-tës, do bëjmë akoma shumë gjëra dhe ka shumë punë që do të duhet t’i përmbyllim edhe të reja të bukura për Shqipërinë dhe për shqiptarët”, tha Rama.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com