Kryeministri Edi Rama në një komunikim me gazetarët shqiptarë nga Shkupi, ku u mbajt sot samiti i vendeve të rajonit, tha se paqja dhe bashkëpunimi është në të mirë të të gjithë qytetarëve të rajonit, ndërsa përçarja bëhet nga politikanët.
Rama u shpreh se rajoni ka humbur shumë kohë dhe energji në rrugën drejt BE edhe për shkak të mungesës së vizionit nga ana e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri theksoi se pjesa më e rëndësishme në këtë proces nuk janë ndihmat financiare të dhëna për reformat, por integrimi në tregun e brendshëm evropian.
“Nëse ne do të kishim bërë të gjitha gjërat që duhej të kishim bërë, sot do të ishim gati. Nuk jemi gati se kemi humbur kohë e harxhuar energji duke u marrë me terminologji, jo po ky proces është tjetër dhe ai tjetër, që janë rezultat i mungesës së vizionit të përbashkët të 6 vendeve. Nuk kemi nevojë për mbështetje financiare për të bërë reforma. Pjesa më e rëndësishme në këtë proces nuk janë miliardat, sigurisht edhe ato kanë rëndësinë e tyre, por integrimi në tregun e brendshëm evropian”, tha Rama.
/f.s