Në promovimin e kalendarit turistik veror, kryeministri Edi Rama prononcoi një shifër që sipas tij është tejet domethënëse. Ka pasur një numër të madh të vizitorëve në parqet kombëtare dhe monumentet historike, për 4 muaj.
“Monumentet historike kanë tërhequr 182 mijë vizitorë”
“Më vjen mirë që jemi këtu jo vetëm me përfaqësues të industrisë së turizmit që janë partner të pandashëm, por edhe përfaqësues nga sektori bankar, pushteti vendor dhe nga vendet mike. Këta të fundit padyshim kanë rolin e tyre të rëndësishëm në këtë përpjekjen tonë të përbashkët pasi janë dera e parë ku ata që na vizitojnë trokasin për të marrë informacione.
Një shifër kam dëshirë ta ndaj me ju, se besoj se është tejet domethënëse, shumë kuptimplotë për çfarë po përpiqemi të bëjmë. Por edhe orientuese për si do të shkojmë më tej. Monumentet historike, në 4 muajt e parë kanë tërhequr 182 mijë vizitorë, ndërkohë që Parqet tona Kombëtare Natyrore janë vizituar nga rreth 800 mijë vizitorë. Këto janë shifra marramendëse po të kemi parasysh nga jemi nisur. Jo vetëm që transformimi i vendit do bëhet i pakthyeshëm, por Shqipëria do rrezatojë në këtë rajon shëmbëlltyrën e një vendi që është Europa e Ballkanit.”
“TEA”, do pasurohet me një ‘gjenerator’ të AI
Sa i takon aplikacionit “TEA”, kryeministri u shpreh: “U njohët sot me versionin e ri të aplikacionit, që është një inovacion me rëndësi në turizëm. Do vazhdojë të pasurohet më tutje edhe me një gjenerator të AI, i cili do t’i bëjë të mundur turistëve që të bëjnë personalizimin e planeve të tyre të udhëtimit. Po ashtu që të kenë në dispozicion harta tredimensionale dhe opsione të reja për të pasur një përvojë sa më të plotë. Por nuk është vetëm ky aspekt, ajo që është e rëndësishme të theksohet është se aplikacioni është një pasqyrë atë që ndodh në realitet.”
Platforma digjitale Kombëtare e Turizmit TEA shërben si “udhërrëfyes” jo vetëm për eventet në destinacionet turistike të Shqipërisë, po edhe me shumë njësi shërbimin duke kryer detyrën e një sporteli digjital “one stop shop”.
/a.r