Kryeministri Edi Rama, në komunikimin live Sy më sy, ka falënderuar Ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqin, e cila ka marrë pjesë platformën Deputeti që Duam në zgjedhjet e vitit 2021. Pas angazhimit të saj si Ministre e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, ku ka krijuar programe dhe politika mbështetëse për të rinjtë dhe fëmijët, së fundmi, Muzhaqi ka koordinuar edhe platformën Deputeti që Duam, duke rekrutuar figura të reja në Partinë Socialiste.
Rama theksoi se, edhe pse Muzhaqi pati një fillim të vështirë për shkak të mungesës së eksperiencës në daljet publike, ajo nuk hoqi dorë dhe vazhdoi punën me përkushtim.
“Dua të bëj një falënderim të veçantë për Bora Muzhaqin. Ajo është ministrja jonë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët. Bora Muzhaqi hyri në platformën Deputeti që Duam në vitin 2021, u përfshi në listë dhe ndodhej në një pozicion ku duhej të thyhej herësi për të hyrë në Kuvend. Nuk u zgjodh deputete, megjithatë vazhdoi të punojë. Hyrja në jetën publike për të nuk ishte e lehtë, sepse mori një goditje të fortë; fillimisht u bë meme për shkak të mungesës së eksperiencës dhe orientimit. Nuk është e thjeshtë të dalësh përpara kamerave, që të vihen si mitralozë përballë teje, papritur dhe pa u përgatitur, dhe të japësh një përgjigje kur nuk ke asnjë eksperiencë apo përgatitje. Megjithatë, ajo ka bërë një punë të madhe dhe një përpjekje këmbëngulëse për ta kapërcyer këtë sfidë. Nga ana tjetër, ka punuar shumë për disa programe të veçanta si Ekipet Sportive në Shkolla, programin Arte dhe Zeje, dhe është angazhuar intensivisht me platformën”, vlerësoi kryeministri.
Gjithashtu, sipas Ramës, platforma Deputeti që Duam ka sjellë një risi të madhe në Partinë Socialiste, duke u shndërruar në një burim të pavarur për prurjet e reja. Ai shtoi se listat e mbyllura janë një instrument i një partie të hapur dhe renditi disa nga kandidatët që vetë kanë kërkuar të jenë pjesë e listave të hapura.