Analisti dhe pedagogu Mark Marku e sheh futjen e Blendi Gonxhes në qeveri si ministër, një testim të Kryeministrit Rama për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme vendore.
I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Mark Marku thotë se Gonxhe është figurë politike, por jo partiake.
“Gonxhe është figurë politike po nuk është figurë partiake. Gonxhe nuk është as ekspert. Duhet kuptuar brenda një konceptim menaxherial që ka Rama në qeveritë e tij. E konsideron shtetin si ndërmarrje të madhe. Prurjet e tij as nuk janë risi as tronditje për partinë e vetë. Gonxhe ka pasur një periudhë konsumi për shkak të faktit kur ishte nënkryetar i Bashkisë Tiranë, bashkia ishte shumë e diskutueshme për shumë probleme dhe Gonxhe ishte në fokusin e sulmeve, por ishte binom i pandarë me Edi Ramën. Pati një periudhë stand by që i ka sfumuar atë perceptim dhe tani kthehet”.
Hyrjen e Blendi Gonxhes në qeveri, Mark Marku e vlerëson edhe si një lloj ekuilibri në kabinetin qeveritar.
“Mendoj që është më shumë një testim për Bashkinë e Tiranës por nga ana tjetër është riekuilibrim. Sepse aty ka 4-5 fugura që të lëvizin politikisht që të kërkojnë një lloj protagonizmi politik. Duke shtuar një aktor të ri shton një rrezik për secilin, krijon më shumë pol. Një minilojë atë e bën ai aty, edhe për kënaqësinë e vetë, kënaqësinë e lojës së pushtetit”, u shpreh Marku.
Kryeministri Edi Rama e ka propozuar Blendi Gonxhen si ministër të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
/a.r