Kryeministri Edi Rama tha sot se Massimo D’Alema nuk është këshilltar i tij, por një mentor. Rama tha se “D’Aleman nuk e kam emëruar këshilltar, sepse nuk do ia lejoja vetes ta emëroja këshilltar. Ai është një mentor. Është njëri prej shtetarëve më të mëdhenj, sipas meje, pas Luftës së Ftohtë dhe është një prej mendjeve më të bukura që kam takuar në jetë. Të gëzosh miqësinë e tij, është, për mua, një medalje e madhe nderi”.
“Kurrë nuk kam folur për tregti me Massimo D’Aleman. Kam folur gjithnjë për politikën, kam folur gjithnjë për Shqipërinë, kam folur gjithnjë për… Pastaj, ai është i lirë të bëjë çfarë të dojë. Epo t’i paraqesësh gjithmonë këto gjëra kështu! Nuk jam në dijeni të ndonjë shoqërie lobimi, por do t’ju kërkoja ta lini jashtë Massimo D’Alema-n nga ky not në baltë që po bëjmë së bashku.
Ndërkohë i pyetur për Vittorio Sgarbin, Rama tha se është një italian i madh. “Ka qenë gjithnjë nder të pres Vittorio Sgarbin. Është një italian i madh. Librat e tij do të mbeten, artikujt për të do të zhduken. Kjo është historia. Kur të flitet për Vittorio Sgarbin, do flitet për librat e tij, për njohuritë e tij mbi artin, për mënyrën e qëndrimit dhe të të bërit televizion, që është sigurisht ultra provokuese, por artikujt për të s’mendoj do i lexojë kush.
Po unë nuk fola për vlerësimin e tij për artin tim. Unë fola për vlerësimin tim për Vittorio Sgarbin. Konflikt interesi mund të ishte nëse unë do thoja se Vittorio Sgarbi është i madh, sepse çmon artin tim ose se Vittorio Sgarbi vlerëson artin tim, ndaj ai është i madh. Unë nuk e thashë. Ju më pyetët për Vittorio Sgarbin. Nuk e di se ç’hyn, por e kuptoj që Vittorio Sgarbi tani është pjesë edhe njëherë e një përplasjeje të madhe në Itali dhe ju doni ta sillni tek unë”, shtoi Rama.
I pyetur nëse Sgarbi ka kërkuar favorizime, Rama tha se nuk qendron një gjë e tillë.
“Po kush jua thotë këto histori?! Po çfarë janë këto histori. Një PPP për Vittorio Sgarbin! Po a e imagjinoni dot ju Vittorio Sgarbin që administron një hotel? Do të ishte bordelloja më e madhe në historinë e hotelerisë, ndjesë. Ne kemi një thënie, ‘gjuha vete ku dhemb dhëmbi’. Unë e thashë “një bordello e madhe” në kuptimin e rrëmujës. Po ju menduat bordello, se ndoshta do e kishit kënaqësi të vizitonit bordellon e Vittorio-s. Po ç’është kjo histori?! S’ka pasur kurrë një histori të tillë. Çfarë po thoni?! Ai ka ardhur shumë herë. Kemi folur edhe për të krijuar rrethana ku Shqipëria të ishte një destinacion arti, po kurrë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Më falni, po çfarë është ky, një proces gjykimi për qëllimet? Sipas meje, ka një problem të madh, sepse ju mblidhni thashetheme, nga njëri cep në tjetrin, nga persona që flasin, që thonë “kemi takuar”, “kemi parë””, shtoi Rama.
“Më fal, po faktet, faktet, ku janë faktet? Mirë pra, jemi parë me Vittorio-n, kemi menduar të hapim një bordello, në kuptimin me të cilin e merrni ju. Po faktet ku janë? Ku është bordelloja? Ë? Atëherë, si mund të shpenzohet koha e publikut italian, e shërbimit publik italian duke folur për thashetheme? Fole për këtë, a e pe atë, a e pe këtë tjetrin? Më falni, po për çfarë po flasim?
Gazetaria hulumtuese, sipas meje, është që ju hulumtoni dhe pastaj vini tek unë duke më paraqitur faktet dhe më gozhdoni me fakte, jo duke u përpjekur të më vini në siklet me thashetheme dhe duke folur për njerëz, për emra, për gjëra, për persona që, në fund të fundit, në një gazetari demokratike duhet të kenë të drejtën e dinjitetit personal. Çdo person që përmendet me emër duhet të ketë të drejtën e dinjitetit personal, për të mos u tallur me të, për të mos u vënë në mes të një ngatërrese të madhe, duke i krijuar probleme në familje, duke i krijuar probleme me miqtë, duke i krijuar probleme në qytetin e tij, sepse është përmendur nga shërbimi publik italian. Këto janë gjëra të pabesueshme. Ndërsa unë jam këtu për faktet. Duhet të më tregosh një fakt për të cilin duhet të përgjigjem, po me “kam takuar këtë, kam takuar atë tjetrin, pashë njërin, dikush më tha”. Për çfarë po flasim?!”,theksoi Rama.
“Nuk po flasim për asnjë figurë dhe nuk po flasim për asgjë, sepse ju më flisni për diçka që unë as e di që ekziston, që ka një hetim e kështu me radhë dhe më flet për diçka që i takon drejtësisë, nuk më takon as mua as juve, i takon drejtësisë. Pastaj, fakti që… jo, e kisha në kuptimin e fakteve për personin, jo që ju të mos bëni punën tuaj, edhe ajo na duhet. Jua them unë pse. Sepse këtu u hodhën emra, u hodhën histori, që nuk mbështeten aspak në fakte. Aspak. Ky tha kështu, ai tha ashtu, një tjetër tha… Për çfarë po flasim? Unë jam kryeministri i një vendi që ka shumë halle dhe më duhet të punoj. Ndërkohë, ju vihem në dispozicion me respekt. Më në fund, do të kem të drejtën të përgjigjem për një program ku nuk kishte replikë. Madje, keni gënjyer edhe publikun italian, sepse i keni thënë që Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave nuk ju ishte përgjigjur. Botimi në faqen e internetit erdhi më pas, kur ne ngritëm zërin. Po të mos kishim ngritur zërin, publikimi nuk do të ishte bërë”, tha Rama.
“Nga këndvështrimi gazetaresk, ajo është një pocaqi dhe ju u shprehët se kishte refuzuar të përgjigjej. Ndërkohë, kishit marrë të gjitha përgjigjet. Unë kam parë që, më fal, ju e keni bërë kërkesën me shkrim dhe kur e çuat kërkesën me shkrim, nuk thoshit që i dua përgjigjet edhe me gojë. I kërkuat me shkrim? I morët përgjigjet me shkrim. Dhe, jo vetëm që nuk i publikuat, dhe jo vetëm thatë që ai nuk ju ishte përgjigjur, po kur folët për gjërat e tij, thatë gënjeshtra. Gënjeshtra. Në rregull? Dhe, jo vetëm gënjeshtra, por e nxorët në një dritë të tillë, që shoh se, sipas jush, është e vetmja mënyrë për të hetuar, po nuk është e vërtetë, sepse nuk do të ishte mëkat nëse një hetim do të shkonte edhe në favor të të hetuarve tuaj. Domethënë, nuk duhet të keni gjithnjë ju të drejtë, që hyni për të gjetur fajtorë dhe tani njerëzit janë fajtorë, sepse ju duhet të justifikoni punën tuaj. Mund të bënit një hetim dhe, në fund, të thoshit “jo, Shqipëria nuk është narkoshtet”, sepse kjo është fyerje për një popull dhe fyerje për një vend”, shtoi Rama.
“Liria e mendimit dhe e informimit mund të vritet edhe duke bërë gazetarinë tuaj. Nuk ka dyshim, sepse, thjesht, ke një telekamera, e përdor si armë, ke gjuhën dhe zërin dhe i përdor si plumba, ndërkohë që të tjerët janë vendosur aty sipas skenarit, për të arritur në konkluzionin e dëshiruar paraprakisht. Pra, njësoj siç e bënte Enver Hoxha. Përpara vendoste kush ishte fajtori dhe pastaj i shkonte mbrapa që t’i binte. Edhe kjo quhet mënyrë demokratike për të vrarë”, tha Rama.
Sipas tij, ky është impenjim për të hedhur baltë nga burimet më të pista të Shqipërisë që t’i vësh përpara në shërbimin publik e pastaj, t’ia paraqesësh popullit italian, sepse ju jeni kundër qendrave të pritjes.
“Më fal, po ç’interes ka publiku italian për thashetheme?!”, tha Rama.
/a.r