Ra pre e mashtrimit për programe studimi në SHBA, i riu: E besuam se erdhi nga Ministria e Arsimit

Vetëm 20 vjeç, por kishte thurur një plan të mirëfilltë mashtrimi duke futur në rrjet Ministrinë e Arsimit, shkollat në vend dhe me qindra maturantë. Hiqej si Klea Rama në rrjetet sociale, por në fakt pas saj ishte 20-vjeçari Ermes Hoxhalli, tashmë i arrestuar, duke ofruar mundësi studimi në SHBA dhe marrë të dhënat personale të nxënësve dhe familjeve të tyre.

Pre e këtij mashtrimi ishte edhe një 18-vjeçar, i cili ka ndarë të gjithë eksperiencën e tij për “Jetë Shqiptare” në RTSH.

“Projekti erdhi në shtator 2023 përmes drejtorisë së shkollës që do na jepte mundësi studimi në SHBA. Që në fillim na u tha se ishte nga Ministria e Arsimit dhe se projekti do merrte një vrull të madh dhe kishte interesin e nxënësve. Pas një periudhe erdhi një prezantim nga Klea Rama dhe koordinuesit e shkollës. U hap një grup në whatsapp dhe këtu bëhet kontakti mes Kleas dhe mësuesve dhe më pas u hap një thirrje për projekt propozime nga secila shkollë për një ide për zhvillimin e komunitetit dhe shkollës. Nëse projekti përzgjidhej do merrte një financim nga SHBA, nga Shtëpia e Bardhë dhe disa fonacione të tjera në SHBA. 3 shkolla dolën fituese dhe më pas nuk e di se çfarë u bë pasi nuk pati asnjë zhvillim projekti apo financimi, projekti iu dorëzua Klea Ramës dhe drejtoreshës së përgjithshme të projektit Valentina Lamajt.

Në whatsapp Klea u prezantua si mbesa e Edi Ramës dhe ne e besuam se erdhi si projekt nga Ministria e Arsimit dhe ishim të bindur që verifikimet janë bërë. Prandaj dhe nuk i dhamë shumë fokus skepticizmit tonë. U angazhuan mbi 123 nxënës në të gjithë Shqipërinë, ishin vetëm maturantë. Ato i jepnin shumë përkushtim projektit dhe nuk të jepte mundësi të mendoje se ishte mashtrim. Finalistë dolën 24 nxënës dhe na u kërkuan të dhënat personale tona dhe të prindërve”, rrëfen 18-vjeçari.

Mashtrimi u kuptua vetëm pas reagimit të Ambasadës së SHBA ku mohoi që të kishte një program të tillë, por sipas tij Klea Rama vijonte të shkruante e t’u thoshte që nuk është e vërtetë. 18-vjeçari shton se pas Kleas qëndronte 20-vjeçari që e njihte përmes rrjeteve sociale.

“Klea vazhdonte të na mashtronte duke thënë “nuk është mashtrim” edhe pse ambasada doli e tha nuk i përket saj ky program. U mërzitëm edhe me Ministrinë e Arsimit që nuk verifikoi. Më pas Klea u zhduk nga rrjetet sociale dhe nuk morëm asnjë kontakt dhe nuk morëm asnjë përgjigje as nga shkolla. E njihja mashtruesin se e ndiqja në rrjetet sociale por nuk e dija kurrë që ishte ai pas Kleas”, tha 18-vjeçari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com