“Qytetarët ta mbrojnë drejtësinë e re”, Kadilli: SPAK po ia ngushton lakun politikës…

Viti 2024 po mbyllet dhe ai që vjen premton zhvillime nga më interesantet përsa i përket drejtësisë, por edhe politikës, për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.

Por si e sheh ish-deputeti demokrat Fatbardh Kadilli vitin që u mbyll dhe premisat për garën elektorale. I ftuar në Studio Live në Report TV, Kadilli shprehet se politika e vjetër e ka mbyllur misionin e saj dhe se shqiptarëve u duhet diçka e re, ndryshe nga dyshja Rama-Berisha.

Kadilli shprehet se përsa i përket drejtësisë, 2024 ishte vit fatlum për shqiptarët, pasi “peshqit e mëdhenj kanë rënë në rrjetë” dhe të tjerë priten në vijim, teksa SPAK sipas tij i ka dhënë goditjen e fortë politikës së korruptuar apo të lidhur me krimin.

“SPAK po realizon pritshmërinë e shqiptarëve. Po realizon premtimin që peshqit e mëdhenj po bien, një nga një në rrjetin e SPAK.

Sistemi i ri i drejtësisë është më i mirë që kemi, mbi 70% e shqiptarëve janë optimistë se do pastrojë politikën. SPAK po kap peshqit e mëdhenj dhe ky është vit fatlum për Shqipërinë”, tha ai.

Por që puna të çohet edhe më tej, për ish-deputetin e PD, kërkohet që institucionet e reja të drejtësisë të mbështeten edhe më tej.

“Shqiptarët duhet të vazhdojnë të mbështesin dhe madje ta marrin në mbrojtje SPAK. Ta mbrojnë nga politika, sepse edhe Rama po shihet që po ndryshon qëndrimin për drejtësinë.

Laku te politika po ngushtohet, ta mbrojë nga hipokritët, SPAK është i mirë, sepse këta individë që kanë përballë kanë paranë, forcën, konsulencën, avokatët, përdorin politikën, ndaj edhe SPAK ka si mbështetje vetëm qytetarin”, theksoi Kadilli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com