Qeveria ka hedhur për konsultim publik një ligj të ri për gjuetinë. Në projektligjin e ri përcaktohen rregulla të reja e kufizime në disa zona që do të jepen më qira me gjuetarë të licencuar. Këto zona do të jepen me qira tek persona fizikë ose biznese përmes një konkurrimi publik dhe afati I kontratës do të jetë 10 vjet.
“Zonat e gjuetisë mund t’i jepen subjekteve private me anë të një procedure konkurrimi dhe për një afat jo më pak se 10 vjet, kjo për arsyen se sipas ekspertëve të fushës së gjuetisë, duhen të paktën 5 vjet për të përgatitur gjahun. Subjekti fizik ose juridik do të jetë njëkohësisht dhe menaxhuesi i zonës”.
Qiraja e zonës do të jetë sa 50% vlerës së gjuetisë vjetore të kafshëve të egra e llogaritur sipas çmimeve të tregut.
“Vlera fillestare për qiranë e zonës së gjuetisë përcaktohet sa 50 për qind e vlerës të gjuetisë vjetore të kafshëve të egra, të planifikuara sipas planit të përdorimit të llojeve të zonës së gjuetisë, të llogaritura sipas çmimit të tregut. Vlera fillestare për qiranë e zonës së gjuetisë shërben si çmim dysheme për personat që do të marrin pjesë në konkurrimin publik”.
Më pas privati do të ketë të drejtën e shfrytëzimit të zonës së gjuetisë sipas rregullave të përcaktuara në ligj. Sipas ligjit këto zona do të jenë jashtë territorit të mbrojtur, nuk do të jenë më të vogla se 500 hektarë ndërsa zonat për kultivimin e llojeve të faunës së egër objekt gjuetie sipërfaqe jo më pak se 50 hektarë./a.m.